DURRES, 3 maj 2013– Këshilli i Qarkut të Durrësit, në kuadër të zbatimit të projektit STAR, organizon seminarin e dytë lokal. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi i projektit STAR tek grupet e interesuara në Qarkun e Durrësit, duke u përqëndruar kryesisht tek autoritetet lokale dhe pjesën tjetër të administratës publike. Për këtë arsye, seminari u organizua me anëtarët e Këshillit të Qarkut, ku merrnin pjesë edhe drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore. Ndërkohë, i ftuar ishte edhe Genc Juka, prefekti i Qarkut të Durrësit, i cili është drejtuesi i Komitetit Rajonal të Turizmit. Prefekti Juka tha se “turizmi është një prej potencialeve të rëndësishme për zhvillimin e rajonit të Durrësit.” Duke theksuar rëndësinë e projektit STAR, Juka shtoi se “informacioni rreth turizmit është shumë i rëndësishëm, pasi ndihmon në hartimin e politikave të qarta dhe efektive.” Nga ana e tij, Armand Teliti, kryetari i Këshillit të Qarkut të Durrësit, tha se “mesazhi i bashkëpunimit dhe i nevojës së marrjes së masave për sezonin e ri turistik duhet të jetë i qartë dhe të përcillet tek të gjithë të interesuarit.” “Qarku i Durrësit ofron mundësi shumë të mira për zhvillimin edhe më tej të turizmit, pasi ka pasuri natyrore dhe kulturore, – tha Teliti. – është e nevojshme që të gjithë të bashkëpunojmë.”Mirela Shani, menaxherja e projektit STAR, bëri një prezantim të ecurisë së deritanishme të projektit, duke theksuar fazën në të cilën ai ndodhet dhe përfitimet që do të sjellë ai.
Projekti STAR ka për qëllim të krijojë njohuri statisikore mbi zhvillimin e turizmit në zonën e Adriatikut. Ky projekt është i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe ka një kohëzgjatje prej tre vjet (Mars 2011 – Mars 2014).
Objektiva specifikë të projektit STAR, mbeten krijimi i një shpërndarje të informacionit turistik në zonën e Adriatikut, përmirësimi i organizimit dhe nivelit të teknologjisë për administratat publike dhe ndërmarrjet turistike nëpërmjet realizimit të një portali për mbledhjen e të dhënave turistike, rritja dhe homogjenizimi i dhënave turistike, shkëmbimi i përvojave më të mira në fushen e menaxhimit te projekteve.
/e.a. Agjensia e lajmeve "Dyrrah"/





