GREQI, 3 maj 2013– Policia greke ka vënë në pranga dy shqiptarë, 30 dhe 34 vjeç për posedim lëndësh narkotike.
8 kilogramë heroinë janë zbuluar dhe konfiskuar nga policia kufitare greke, Evros në kufi me Turqinë dhe janë arrestuar dy shtetas shqiptarë, 30 dhe 34 vjeç të cilët po hynin në Greqi.
Droga u gjet e paketuar në 15 pako, e fshehur në dyshemenë e makinës që drejtohej nga 34- vjeçari. Heroina ishte mbuluar me disa kuti këpucësh.
Sasia e madhe e drogës u zbulua nga qeni antidrogë, ndërsa më parë shqiptarët u përpoqën të bindin policinë se po transportonin një ngarkesë me këpucë.
Droga dhe makina u konfiskua nga policia, ndërsa dy shqiptarët u dërguan në prokurorinë e Aleksandropolis.
Ndaj dy shqiptarëve të ndaluar pritet të jepet vendimi i prokurorisë.





