ITALI, 3 maj 2013– Qeveria italiane ka dhënë urdhër për një proces hetimor lidhur me akuzat për racizëm në faqe interneti të ekstremit të djathtë, ku janë bërë komente ofenduese ndaj ministres së parë me ngjyrë në kabinetin italian, asaj të integrimit Cecile Kyenge.

Në një faqe interneti, ministrja përfshkruhet si "majmuni kongolez".

Ministrja e re e mundësive të barabarta Josefa Idem, e cila dha urdhër për hapjen e procesit, i cilësoi komentet si "epitete të ndyra raciste". 

Komente të tilla për zonjën Kyenge nuk janë shfaqur vetëm në internet.

Gjatë një interviste radiofonike, politikani italian Mario Borghezio i Ligës së Veriut, duke folur për kabinetin e ri përdori frazën "qeveria bonga bonga" dhe tha se afrikanët nuk kanë treguar material të mirë gjenetik.

Cecile Kyenge është me origjinë nga Republika Demokratike e Kongos dhe u vendos në Itali tre dekada më parë.

Zonja Kyenge ka tashmë shtetësinë italiane, është e martuar me një italian me të cilin ka dy fëmijë.