DURRES, 2 maj 2013- Puna për ndërtimin e portit të ri të peshkimit po ecën me ritme të shpejta. Ndërtimi i skolierës barrierë me gurë, që do të shërbejë për krijimin e basenit ujor të portit të ardhshëm ka arritur drejt përfundimit. Ndërsa makineritë e rënda dhe mjetet lundruese të specializuara vazhdojnë punimet për ndërtimin e portit të peshkimit pa ndërprerje. Kapiteni i portit të Durrësit Hysni Aruçi, shpjegon se ndërtimi i portit të ri, i cili është planifikuar të përfundojë brenda një periudhe 2 vjecare, do të mundësojë ankorimin e 120 anijeve të peshkimit njëherësh, por edhe largimin e tyre nga zona portuale, për ti hapur rrugë investimeve të tjera.
Dhjetra automjete vetshkarkuese, makineri të rënda dhe mjete lundruese të specializuara të kompanisë austriake “Strabag SE”,vazhdojnë punimet për ndërtimin e portit të peshkimit pa ndërprerje dhe sipas kontratës mes palëve projekti duhet të përfundojë brenda një periudhe 2-vjeçare.
Kontrata është firmosur në korrik të vitit të kaluar, nga Ministria e mjedisit, që menaxhon edhe sektorin e peshkimit me kompaninë ndërtuese austriake.
Ndërtimi ka filluar në pikën pranë godinës së kapitenerisë së portit, ngjitur me murin dallgëthyes, ndërsa kompania austriake ka ngritur kantierin e makinerive dhe automjeteve të rënda pranë kalatës nr 1.
Ndërtimi i portit të peshkimit po realizohet me financimin e Bankës Islamike prej 14.6 milion dollarë, të ndarë në dy lote.
Projekti është realizuar tre vjet më parë nga studio marokene CID. Ai parashikon ngritjen e një skoliere prej 800 metra linear përballë murit perëndimor të portit, nga vendi ku ndodhet kapiteneria deri në godinën e stacionit meteorologjik.
Brenda basenit ujor prej 8 hektarë, që do të krijohet mes dy mureve, do të ndërtohen tre pontile me gjërësi 4 metra dhe me gjatësi 84 metra secila.
Me ndërtimin e portit të ri, sipas Aruçit do të mundësohet largimi i motopeshkatoreve nga zona portuale ku ndodhen tani, dhe do të çlirojë 100 metra kalatë dhe një sipërfaqe prej 2.8 ha.Sipas masterplanit për zgjerimin dhe modernizimin e portit detar më të madh të vendit, me largimin e motopeshkatoreve nga vendankorimi aktual gjatësia e kalatës së trageteve do të dyfishohet, ndërsa manovrat e anijeve dhe trageteve në basenin portual nuk do të kenë pengesa.
/e.a. Agjensia e Lajmeve "Dyrrah"/





