SUEDI, 26 prill 2013- Idhulli i adoleshentëve, Justin Bieber duket se është në telashe.
Policia suedeze njoftoi se ka gjetur gjurmë lëndësh narkotike në autobusin me të cilin këngëtari kanadez mbërriti në Stokholm, ku pritet të organizojë një koncert të mërkurën e ardhshme..
Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i policisë vendase. Sipas tij, policia ushtroi kontroll mbi autobusin e parkuar, pas erës së fortë të marijuanës që ndjehej në rrugë, dhe gjeti brenda tij gjurmë droge dhe një pistoletë elektrike.
Policia nuk përmendi llojin e drogës së sekuestruar, por tha se ajo është dërguar në laborator për analiza të mëtejshme.
Lëndët narkotike në autobusët ku udhëtojnë këngëtarët e famshëm nuk janë një gjë e re tashmë. Autobusi i këngëtares Rihanna u bllokua për disa ditë në kufirin mes Kanadasë dhe në të u gjet një sasi e konsiderueshme hashashi. Edhe vetë këngëtarja nga Barbadosi nuk e ka mohuar ndonjëherë dashurinë e saj për marijuanën, madje shpesh ka postuar edhe në rrjete sociale foto duke “tymosur”.





