MALËSI E MADHE, 26 prill 2013- Në orët e para të mëngjesit të sotëm është sekuestruar nga policia kufitare e Shkodrës, rreth 15 kg lëndë narkotike.
Sipas policisë, në pranga ka rënë një person dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Policia e Shkodrës bëri të ditur se lënda narkotike është kapur në vendin e quajtur Hidrovori i Hotit, në territorin e rrethit Malësi e Madhe, rreth 500 metra larg kufirit me Malin e Zi.
Sipas policisë, lënda narkotike synohej të kalohej për në Mal të Zi, ndërkohë që në vendngjarje është ndaluar një shtetas, Kristian Rakaj, person i dyshuar për transportin e mallit, ndërsa është shpallur në kërkim edhe një person tjetër, i quajtur Kastriot Isufaj.





