TIRANE, 25 prill 2013 – Deputeti socialist, Taulant Balla, ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu. Balla e ka akuzuar kreun e AK se është blerë nga djali i kryeministrit Sali Berisha dhe për këtë arsye kjo forcë politike ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhje.
Sipas Ballës, gjithçka është mbyllur pasi Shkëlzen Berisha i ka paguar para Spahiut, për mos bashkimin në koalicion me opozitën. Gjithnjë sipas deklaratës së deputetit opozitar nga AK janë larguar tre anëtarë të kësaj partie, pasi kanë mësuar këtë fakt.
“Anti-berishizmi “u sponsorizua” nga pinjolli i vetë Saliut, Zeni, i cili përmes një personi të besuar lëvroi torbën e pareve për shpenzime. Në fakt, ishte po Zeni që njoftoi dje rrethin e vet për daljen e sorrës kreshnike të vetme në zgjedhje, me qëllim çuarjen dëm të ca votave opozitare. “E bleva atë legenin, nuk kërkoi shumë”, kishte thënë Zeni i Saliut dje. Kjo është historia e sorrës kreshnike. Prandaj, ata tre djemtë i lanë shëndenë dje Nikut, zarit të Zenit”,- tha deputeti socialist.
/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





