- Djalin na e vranë për shkak të punës, nuk e njohim autorin e arrestuar nga policia
DURRES, 25 prill 2013 – Një ditë pas ekzekutimit të 27 vjeçarit Refik Lila, kanë reaguar familjarë të viktimës, të cilët kanë mohuar që djali i tyre të jetë vrarë për shkak të një femre. Në një deklaratë për mediat familjarë të 27-vjeçarit kanë pohuar se nuk dinë që Refiku të ketë pasur konflikte të mëparshme me persona të tjerë për çështje femrash, por nga shokët e 27-vjeçarit kanë mësuar se ngjarja ka si motiv një konflik, që sipas tyre ka nisur për shkak të punës që i riu bënte.
Refik Lila, me profesion shofer dhe me punë të dytë inxhinier elektrik, sipas familjarëve kishte dalë nga shtëpia dy orë para ekzekutimit të tij. Gjyshja e viktimës, Razia, e cila jetonte së bashku me Refikun tregon se nipi i saj doli nga shtëpia si çdo ditë për të shkuar në punë, pasi dikush i kishte telefonuar për të riparuar një lavatriçe në lagjen ku ka ndodhur ngjarja.
Sipas saj, Refiku u largua nga shtëpia me një shok i cili e mori në makinën e tij. “Ai nuk shfaqi ndonjë shqetësim në momentin që u përshëndet me ne”,- thotë gjyshja e viktimës e cila nuk e kishte çuar asnjëherë në mendje faktin se ajo do të ishte hera e fundit që e shihte të gjallë nipin.
Gjyshja e viktimës tregon më tej se kanë qenë shokët e nipit të saj ata që i kanë dhënë lajmin e parë që Refiku është qëlluar me armë zjarri dhe se ndodhej në spitalin e Durrësit. “Por kur prindërit e tij dhe vëllai shkuan në spital,- tregon Razia e tronditur,- mësuan se ai kishte ndëruar jetë”.
Një ditë më parë, policia tha se 27-vjeçari, ishte ekzekutuar nga Ardit Hyska, 28 vjeç, pas një konflikti që këta të fundit kishin për një femër. Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga të afërm të viktimës, të cilët thonë se Refiku, në dijeninë e tyre nuk ka pasur asnjë njohje me autorin e dyshuar për vrasje, apo ndonjë konflikt për ndonjë femër.
Sipas familjarëve Refiku ishte një djalë punëtor dhe nuk kishte konflikte apo probleme me ndonjë person tjetër, por dy shokët e tij të cilët i dhanë lajmin i kanë thënë që Refiku është qëlluar me armë zjarri nga një person pas një konflikti të nisur për shkak të punës.
Ata thonë se i afërmi i tyre ishte një djalë i respektuar në lagjen ku jetonte prej më shumë se 10 vitesh dhe se nuk ishte konfliktuar më parë me persona të tjerë. E ndërsa nga policia ngjarja konsiderohet se ka motive banale dhe një autor, tashmë të arrestuar, familjarët theksojnë se nuk e njohin autorin dhe apelojnë për drejtësi.
Një ditë më parë reaguan edhe familjarët e 28-vjeçarit Ardit Hyska, i ndaluar si autori i dyshuar i vrasjes së 27-vjeçarit Refik Lila. Sipas tyre, Hyska është arrestuar në Spitalin e Durrësit ku ka qenë duke shoqëruar të atin dhe se nuk ka pasur asnjë njohje me viktimën.
Edhe vetë i arrestuari ka deklaruar para hetuesve të çështjes se nuk kishte asnjë njohje apo konflikt me viktimën Lila. Por policia në deklaratën e saj bën të ditur se gjatë arrestimit 28 vjeçarit i është gjetur dhe arma pistoletë e markës Beretta, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.
Ndërsa në cilësinë e provës materiale uniformat blu kanë sekuestruar edhe automjetin e tij tip Benz, i përdorur nga autori për largimin nga vendi i ngjarjes, në lagjen 18 të Durrësit. Policia sqaron gjithashtu se autori ka qenë i dënuar më parë me dy vjet burg për një plagosje tjetër.
Hetimet
Policia e Durrësit në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit vijon intesivisht hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të vrasjes së 27 vjeçarit Refik Lila. Hetimet për këtë vrasje bënë me dije burime nga policia, nuk janë mbyllur për shkak se autori i dyshuar që ka ekzekutuar 27 vjeçarin dhe pikërisht Ardit Hyska nuk e ka pranuar autorësinë e krimit, duke mohuar njohjen e mëparshme me viktimën. Sipas oficerëve të policies, viktima nuk ka pasur precedentë penalë apo ndonjë konflikt të hapur me ndonjë person. Nga grupi hetimor hetimet janë përqendruar në disa pista, dy prej të cilave janë ajo e vrasjes me paramendim për shkak të një konflikti të hershëm për një femër, konflikt për të cilin kanë dhe një autor të dyshuar, si dhe vrasjes për shkak të punës.
Mësohet se në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës përgjatë ditës së sotme, janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje 18 persona, ndërsa po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





