TIRANE, 25 prill 2013 – Incidenti i rëndë në të cilin u përfshinë kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe diplomati shqiptar Egin Ceka kanë nxitur kryeministrin Sali Berisha të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të zbardhur këtë ngjarje. Gjatë seancës së sotme plenare, kryeministri i vendit ka reaguar ashpër, duke e cilësuar agresionin si dhunë shtazore dhe rrugaçëri.
“Akti më i rëndë, ndofta në tërë historinë diplomatike dhe politike të takimeve dhe konferencave. Ky akt qëndron në agresionin e rëndë të turpshëm, brutal shtazor që kryetari i partisë socialiste dhe kryetari i koalicionit të pazarit dhe ngjalave i ka bërë njërit prej diplomatëve të rinj më të përgjegjshëm dhe të përgatitur të këtij vendi”,- tha Berisha.
Pasi shpjegoi incidentin në Vienë dhe deklaroi se për ngjarjen janë më shumë se 30 dëshmitarë që e kanë parë nga afër, kryeministri kërkoi që ditën e hënë të ngrihet Komisioni Hetimor Parlamentar.
“Jemi gati në këtë parlament të sjellim jo një, por 30 dëshmitarë urdhëroni të krijojmë komision hetimor për të parë se është prekur diplomacia me dhunë, ne do krijojmë komision hetimor. E di si më dukeni mua apo jo jeni ulur në çifte si Konstandini me Dhoqinën, jeni të pashpresë ju ka heq nga lista. Zoti kryetar i grupit i propozoj grupit parlamentar që të marrë komision parlamentar për këtë akt të dhunshëm. Ditën e hënë, ky parlament voton komisionin hetimor parlamentar për të hetuar gjer më një aktin e paprecedentë të turpshëm dhe amoral, akti që nuk ka ndodhur në historinë e këtij shteti, të agresionit të një diplomati të ri nga kreu i opozitës në një moment sfazimi total bipolarizmi ose overdoze”,- tha Berisha.
Pas deklaratës së kryeministrit ka reaguar kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, i cili i ka bërë thirrje mazhorancës të shkarkojë diplomatin Egin Ceka. Sipas Ruçit mëria e vetme e Berishës është fakti se kryeministri ka tre vjet që nuk ftohet në Vienë. Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, Edi Rama dënoi në kryeqytetin austriak nepotizmin dhe mungesën e profesionalizmit të trupit diplomatik shqiptar.
“Emri që përmendi Rama ishte diplomat në Vjenë, dhe i ati diplomat në Romë. Ky djali, i biri i babait ambasador, nuk e honepsi dot, madje mësova se ai djali nuk kishte vajtur se nuk kishte vend atje, se po të kishte qenë përfaqësues diplomacie tamam, duhet të dilte që në aeroport ta priste, të rrinte në takimin me kryeministrin austriak. Ky është diplomati dhe jo diplomat që t’i e përdor si mitingash, që e përdor për të prishur takimin dhe për t’i dhënë një njollë turpi Shqipërisë”,- tha Ruçi në seancë.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





