· Speciale “Dyrrah” / Historia prekëse dashurie e dy aventurierëve në shërbimin publik. Vajza, analiste politike e banaliteteve në Shqipëri. Ai kapiten ushtrie në Irak, Afganistan, aktualisht studiues në Harvard. Fitorja e biondes mbi kancerin
NJU-JORK, 21 prill 2013 – Ish-diplomatja amerikane në Tiranë, analiste politike e banaliteteve shqiptare, bukuroshja Megan, u martua të shtunën, gjë që përbën lajm në rubrikën e ngjarjeve mondane amerikane.
Njëkohësisht, historia e tyre romantike, që i ngjan një romani, ka pika prekëse për shërimin nga kanceri që po përjeton punonjësja e Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe pasionet e përbashkëta të saj me bashkëshortin për aventurat dhe punën e përkushtuar në sektorin publik.
“Dyrrah”-u po u paraqet lexuesve një përmbledhje të artikullit të botuar më 21 janar 2013 në “The New York Times”.
Megan Xhoan (Joan) Roberts dhe Filip Methju Mejb Xhunior (Philip Matthew Mabe Jr.) u martuan të shtunën në një rezort në Pensilvani, shkruan në numrin e saj të fundit e përditshmja amerikane “The New York Times” (NYT), në shkrimin e titulluar “Aventurierë të përkushtuar në shërbimin publik” (Adventurers Dedicated to Public Service), me autore Margo Laski (Margaux Laskey).
30 vjeçarja Megan punon në shërbimin e jashtëm në Departamentin e Shtetit, por jeton në Boston me pushim mjekësor, pasi u diagnostikua në prill të vitit 2011 me limfomë, një formë kanceri në gjak.
Para se të kthehej në SHBA, ka qenë nëpunëse politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ku ka analizuar politikën shqiptare dhe ka drejtuar programin e monitorimit të zgjedhjeve në terren.
Është diplomuar në Penn State (universiteti publik i shtetit të Pensilvanisë).
Kurse dhëndri, 33 vjeç, ose, siç i thërrasin, Met-i (Matt), në maj të vitit të kaluar ka marrë master në politikat publike në shkollën “Kennedy” për Qeverisje në universitetin e Harvardit, ku vazhdon punën për një studim.
Ka qenë kapiten në ushtri, me shërbim në Irak nga marsi deri në dhjetor 2003, dhe nga tetori 2005 deri në tetor 2006; si dhe në Afganistan, nga qershori 2009 deri në mars 2010.
U diplomua në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe mori një diplomë master për gazetari në universitetin e Kolumbia-s.
Çifti u takua në maj 2012 në portalin “Match.com”.
Ish-kapiteni Mejb tha se po mendohej të anulonte llogarinë e tij, kur mori një e-mail nga Megan Roberts-i.
U intrigua nga profili i saj – fillimisht, nga tiparet në foto: me flokë të gjatë biondë, duke bërë plazh.
Pastaj lexoi për përmirësimin e saj nga kanceri dhe pa fotot që i postoi ku paraqitej tullace.
“Mendova se ajo ishte e guximshme”, tha ai.
Megan-it i kishte bërë përshtypje përgjigja dhe vëmendja e tij deri në hollësi.
“Met-i ishte i vetmi që do të lexonte plotësisht profilin tim”, tha ajo.
“Ai dukej vërtet i interesuar për mua si njeri”.
Ajo i ktheu përgjigje.
Pas një jave me shkëmbime mesazhesh, Roberts-i ra dakord për një datë për t’u takuar në një bar në Boston.
Ata po i lidhnin pasionet e përbashkëta (dëshirat e shfrenuara për udhëtime, aventurat dhe shërbimi publik) dhe biseduan për tri orë.
Ai e çoi deri te metroja, por ajo nuk do ta lejonte ta puthte.
Tre ditë më vonë, pas takimit të dytë dhe puthjes së tyre të parë, tha Roberts-ia, ajo e ndjeu se kishte rënë në dashuri.
“Tingëllon pothuajse si histori librash, por e ndieja përfundimisht se po më rrihte zemra”, i tha ajo NYT-it.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





