DURRES, 21 prill 2013 – Zbardhen shkaqet e zjarrit të rënë një ditë më parë në depozitat e karburantit të kompanisë Gjyzeli shpk, në fshatin Sallmone të Komunës Xhafzotaj. Burime të policisë bënë të ditur se shkak i shpërthimit të zjarrit në depozitat të cilat ishin të mbushura me solar është bërë një shkëndije elektrike. Fillimisht zjarri ka përfshirë depozitën nr.1, ndërsa më pas flakët janë përhapur edhe në depozitën nr. 2. 

Bujar Gjyzeli, pronari i kompanisë bën me dije se falë ndërhyrjes së shpejtë të repartit të zjarrfikësve të Durrësit e Tiranës, u bë e mundur vënia nën kontroll e situatës, e cila rrezikonte të merrte përmasa tragjike. Sipas Gjyzelit, krahas institucioneve të shtetit, në ndihmë kanë shkuar dhe banorë të komunitetit, por edhe biznese të ndryshme të cilët kanë ndihmuar në transportimin e ujit e rërës, që janë përdorur për shuarjen e flakëve, duke shmangur një shpërthim që mund të kishte pasoja të paparashikueshme për të gjithë zonën.

Sot situata në këtë kompani është normalizuar, ndërsa një grup pune po punon për rikuperimin e dëmeve materiale të shkaktuara. Dëmet materiale sipas pronarit të kompanisë Bujar Gjyzeli përllogariten deri në 10 milion lekë të reja.

Ngjarja

Shpërthimi në depozitat e karburantit ndodhi mesditën e së shtunës, në fshatin Sallmone të komunës Xhafzotaj në Durrës, vetëm pak metra larg autostradës Tiranë-Durrës. Vatra e zjarrit është shfaqur në mjediset e firmës Gjyzeli, në të cilën gjendeshin edhe depozitat e mbushura me karburant. Dy depozita të mbushura me solar kanë marrë flakë njëra pas tjetrës. Forca të shumta të policisë dhe zjarrfikësve kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërkohë që në  ndihmë të zjarrfikësve të Durrësit kanë ardhur edhe automjetet e portit dhe stacionit zjarrfikës të Kavajës e Tiranës.

Për shkak të flakëve të mëdha dhe tymit të dendur fillimisht janë rrezikuar banesat pranë, por me ndërhyrjen e shpejtë të zjarrfikësve, situata është normalizuar. Nga ana e forcave të policisë është bërë i mundur gjithashtu evakuimi i banorëve si dhe izolimi i zonës në një distancë prej 1000 metrash nga zona e rrezikuar. Në gadishmëri kanë qenë edhe ambulancat e spitalit të Durrësit, por nga zjarri mësohet që nuk ka pasur persona të lënduar në njerëz.  Për të normalizuar situatën dhe për të bërë të mundur lokalizimin e flakëve, repartit të zjarrfikësve i është dashur më shumë se tre orë punë intensive.

/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/