TIRANË, 21 prill 2013- Partia Socialiste në sajë të nismës ‘100 arsye pse nuk duhet të votoni Berishën”, akuzoi qeverinë se ka dështuar në politikën e saj ndaj mbrojtjes së gruas si edhe përfaqësimit e saj në jetën politike dhe administrative.
Kryetarja e forumit të gruas së PS- së Olta Xhaçka në konferencën për shtyp nga selia rozë deklaroi se kryeministri Berisha nuk mbajti premtimin për gruan shqiptare.
“Edhe 63 ditë nga dita ku Berisha do të ndëshkohet me vote. Sot jam këtu për t’ju dhënë një dëshmi të dështimit të qeverisë’ Qeveria dështoi në mbrojtjen e gruas duke u vendosur në borxh të madh me femrat e Shqipërisë. Premtoi se qeveria e tij do të promovonte barazinë ligjore dhe forcimin e instrumentave ligjor në të gjitha nivelet e qeverisjes. Ky ishte premtim i vakët dhe nuk u bë realitet. Buxheti për shanset e barabarta për vitin që shkoi ka qenë 0.04%. Berisha premtoi parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave, por dhuna ndaj gruas ka pësuar vetëm rritje që flet për dobësimin e institucioneve të shtetit. Gratë e vajzat janë të diskriminuara në punë por edhe në pjesëmarrjen në politikë, pasi qeveria ka vetëm 1 ministre në qeveri”, deklaroi Xhaçka
Xhaçka premtoi se me ardhjen e PS në pushtet, qeveria e re do të veprojë për barazi gjinore në qeverisje, administratë dhe jetën në tërësi.





