TIRANË, 21 prill 2013- Partia Demokratike, përmes një deklarate për shtyp mesditën e së djelës, i bëri sërish thirrje kryesocialistit Edi Rama të bëjë transparencën e shumës së parave për ndërtimin e pallatit të ndërtuar nga familjarët e bashkëshortes së tij, si dhe të parave për ndërtimin e vilës në Dajt. 

"Partia Demokratike kërkon nga Ju Z. Rama të lini mënjanë sharjet dhe fyerjet për mesuesit, nxënësit, infermjerët, policët, fermerët dhe prodhimet e tyre dhe të bëni transparencën si detyrim ligjor dhe moral i cdo politikani, përndryshe, “pallati i familjes në lulishte” ndërtuar me Leje të Paligjshme dhe burimi i parave të ndërtimit të tij, rezidenca juaj verore, cmimi i truallit dhe origjina e parave të ndërtimit të saj, do t’ju mbeten në kurriz, në cdo takim, në çdo sallë, në cdo kuti votimi!", u shpreh, gjatë deklaratës zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi. 

"I bëjmë thirrje Z.Rama që të mos fshihet si frikacak prapa sharjeve me të cilat mbush sallat kudo që shkon, por të bejë me kurajo para qytetarëve transparencën që premtoi muaj më parë për “pallatin në pajë”.Z.Rama, qytetarët kudo ku ju shkoni, presin nga ju, tu shpjegoni përse firmosët dy lejet e ndërtimit, në konflikt flagrant interesi familjar dhe në shkelje të rëndë të nenit 62 të ligjit të Urbanistikës, për ndërtimin e pallatit të gruas suaj, në lulishten para pallateve, ndërkohë që ju, po aty i kishit anulluar një qytetari tjetër lejen e ndërtimit të një pallati, në sipërfaqet kallkan të pallateve dhe jo në lulishte”, thuhet në deklaratën zyrtare të selisë blu.