LONDER, 21 prill 2013– Vrapuesit në Maratonën e Londrës mbajtën 30 sekonda heshtje për të nderuar viktimat e sulmeve në Boston, ndërsa në krah kanë vendosur rripa të zinj në shenjë zie. Në nisje të garës, ku marrin pjesë 36 mijë vrapues, policia londineze ka qenë në gatishmëri, shkalla e vigjilencës është në maksimim, dhe një numër i madh trupash ndodhen përgjatë itinerarit edhe për të qetësuar publikun. 

Maratona e Londrës është e para që zhvillohet pas ngjarjeve tragjike në atë të Bostonit, e policia metropolitane njoftoi se 40 për qind më shumë oficerë do të jenë në detyrë për të siguaruar se çdo gjë do të shkojë mirë. Paraprakisht, ata njoftuan publikun se nuk ka asnjë lidhje mes Bostonit dhe maratonës së Londrës, edhe pse të dyja aktivitetet janë pjesë e një turneu.

Si pjesë e masave të sigurisë, koshat e mbeturinave janë larguar në të gjithë itinerarin prej 26 miljesh të maratonës, e cila nis në Grinuic, kalon përmes  Tower Bridge, gjërpëron mes distriktit tregtar Canary Wharf , e i afrohet fundit në zemër të Londrës, pranë Big Ben e në fund Buckingham Palace. Qindra mijëra spektatorët që mbushin rrugët përgjatë kursit, presin të duatrokasin pa druajtjen se mos sulmohen, elitën e vrapuesve në botë.

Organizatorët do të dhurojnë 2 paundë për çdo vrapues që do të mbërrijë finishin, në fondin e ngritur për viktimat e Bostonit. Duke llogaritur se rreth 35,500 njerëz do të mbarojnë garën, fondi pritet të jetë të paktën 70 mijë paundë, apo 107 mijë dollarë.