TIRANE, 21 prill 2013– Vetëm brenda këtij 3-mujori, në vendin tonë janë shënuar 586 raste të dhunës në familje, ndërsa 78 përqind e kësaj dhune mbetet me bazë gjinore ndaj femrave. Në një intervistë, shefja e sektorit kundër dhunës në familje në Policinë e Shtetit, thotë se ka një sensibilizim me shtimin e rasteve të denoncuara, ndërsa për herë të parë ka ndryshuar diçka pasi më parë dhuna e ushtruar ndaj femrave ka qenë në përqindje më të lartë. 

"Gjatë këtij 3-mujori rezulton që 78 për qind e personave të dëmtuar në familje i përkasin gjinisë femërore dhe 22 për qind i përkasin gjinisë mashkullore. Në fakt, gjatë këtij 3-mujori ky raport ka ndryshuar, diçka në favor të femrave sepse në vitet e mëparshme, ky raport ka qenë 82-83 për qind, e personave të dëmtuar ishin femra dhe 18-19 për qind ishin meshkuj",-thotë Alma Gjurgji.

Sipas Gjurgjit, ndryshimi i ligjit dhe konkretisht parashikimi i dhunës në familje si vepër penale ka bërë që policia me nismën e saj të referojë në Prokurori 190 raste të dhunës në familje.

"Gjatë këtij 3-mujori unë thashë që janë evidentuar 586 raste dhe prej këtyre 362 raste janë referuar në gjykatë për kërkesat e urdhërave të mbrojtjes. Gjatë muajve të fundit, strukturat e policisë kanë edhe një përgjegjësi më shumë apo komptetencë të shtuar për shkak të ndryshimeve që janë bërë Kodin Penal, ku dhuna në familje, marsin e vitit të kaluar është klasifikuar si vepër penale më vete. Gjatë këtij viti, për shkak të ndryshimeve janë referuar 190 raste që kanë kaluar për procedim penal, ku masa e dënimit parashikon deri në 5 vjet",-thekson ajo.

Me ndryshimet më të fundit në Kodin Penal, dhuna në familje dënohet nga 1 deri në 5 vjet heqje lirie. Ndryshimet u miratuan pas rritjes së numrit të rasteve të dhunës dhe keqtrajtimit të fëmijëve të cilat nuk denoncoheshin, por mbeteshin brenda mureve të shtëpisë.