44-vjeçari, Shaker Aamer, britaniku i fundit që qëndron në burgun famëkeq të Guantanamos në Kuba ruan një sekret shkatërrimtar siç thotë ai: pa me sytë e tij, se si një njësi speciale afgane torturoi një tjetër të burgosur, çka krijoi "inteligjencën false" që çoi më pas, në pushtimin e Irakut nga SHBA dhe Britania. Kjo do të thotë se ai nuk mund të lirohet kurrë. Ai është baba i pesë fëmijëve, të cilët sot jetojnë në Battersea, në Jug të Londrës. 

Aamer qëndron i burgosur prej 11 vjetësh dhe nuk është akuzuar kurrë. Ai madje është liruar dy herë nga SHBA-ja. Mediat në Britani thonë se SHBA kërkon që ai të heshtë përgjithmonë, duke thënë se mund të largohet nga Guantanamo, vetëm për të shkuar në Arabinë Saudite, një vend nga i cili u largua kur ishte vetëm 17 vjeç. Por avokatët e tij thonë se nëse shkon atje, atij do t'i ndalohet të flasë në publik dhe nuk do të mund të shohë gruan dhe fëmijët. Për më tepër, mund të përfundojë në një tjetër burg. 

Rasti i Aamer është kaq shpërthyes sa Parlamenti britanik mban një seancë emergjence ditën e mërkurë. Aamer i ka thënë avokatit të tij se oficerët britanikë të MI6 ishin të pranishëm kur ai u sulmua brutalisht dhe u mor në pyetje në bazën ajrore Bagram në Afganistan, ku ai njihej si i burgosuri numër 5. 

Ai madje thotë se MI6 kanë dëshmuar po ashtu edhe sulmin ndaj Ibn Shaikh al-Lbi, që në atë kohë iu dorëzua Egjiptit dhe u torturua pasi tha se Iraku po trajnonte terroristët e al-Kaedës se si të përdornin armë kimike. Ky ishte justifikimi që në atë kohë Presidenti George W. Bush dhe Sekretari i Shtetit Colin Powell përdorën për të justifikuar luftën në Irak.