Nga Artur Zheji
Është për t’u habitur se si pothuajse në harkun e një dremitjeje të shkurtër pranverore, situata e tensionuar politike shqiptare shpërtheu furishëm, dhe furia e këtij shpërthimi, sipas shumë analistëve, vetëm sapo ka filluar. Pika e kthesës ishte dhe do të jetë gjatë, gjatë dhe gjerë në kohë dhe hapësirë, “lufta” për Komisionin Qendror Zgjedhor. Sepse kalimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në koalicionin e ri parazgjedhor e la befasisht në minorancë numrash Partinë Demokratike dhe Kryeministrin Berisha, në të vetmin institucion të balancuar të vendit. Duket tanimë qartë se Berisha u kap në befasi nga braktisja e kushtueshme e Ilir Metës, të cilin për sa kohë e kishin në krah, mjaft nga të ashtuquajturit “kocka të forta” të PD e shikonin shtrembër. Pavarësisht faktit të qartë që pushteti i mandatit të dytë të kësaj qeverie kish në themel koalicionin me LSI.
Mirëpo panorama e përgjithshme nuk rezulton dramatike për shumicën aktuale. Pasi falë eksperiencës dhe aftësive të rralla taktike të Kryeministrit, si dhe falë neglizhencave të herëpashershme të Edi Ramës, shumica e institucioneve të shtetit shqiptar kryesohen aktualisht nga njerëz të zgjedhur, të cilët karrierën e tyre politike ia kanë borxh dhe ia njohin si borxh Sali Berishës.
Përtej retorikës që e konsideron Komisionin Qendror Zgjedhor si një institucion krejtësisht të pavarur, të gjithë e dimë se urdhrat për kryekomisionerët shkojnë e vijnë nga selitë qendrore të partive, ose më saktë akoma, nga vetë kryetarët e tyre.
Berisha, pra, u ndodh sidoqoftë përpara një dileme të pazakontë: të pranonte humbjen e kontrollit të numrave të KQZ-së, apo ta ndryshonte atë, qoftë me kosto të lartë shkak-pasojë?
I mësuar me pagesën e faturave të akteve të tij politike, i mësuar me faktin se në Shqipëri edhe çudia më e madhe tri ditë vazhdon, ai mori vendimin e kushtueshëm politik, të ndryshimit të balancave në KQZ, me dorë të fortë, pavarësisht qelqeve të thyera si efekt kolateral të këtij veprimi.
Faktet tanimë dihen, pas hapit të votimit të nxituar dhe haptas të gabuar të Komisionit të Ligjeve, në emër të balancimit të KQZ-së, në rrugë e sipër u përpunuan akuza direkte për Ilirian Muhon dhe integritetin e personit të tij, përfaqësuesin pra që LSI kishte në KQZ.
Akuzë mbi të cilin Kuvendi, i drejtuar edhe ai me dorë të fortë nga Topalli, tanimë me një shumicë të panatyrshme dhe rokoko, e pra me deputetë të PD, një ish-LSI dhe tre ish-PS, e votoi këtë shkarkim duke e zëvendësuar me një kandidaturë të djathtë, të Partisë Republikane, duke rrëzuar de fakto jetëgjatësinë ligjore dhe teorikisht të pacenueshme të mandatit të komisionerëve vip të KQZ-së.
Kjo dinamikë e ashpër dhe e mbarsur me konfrontime, por ndoshta e evitueshme, solli dorëheqjet e njëpasnjëshme në KQZ, si dhe ndryshimin, ose më saktë përmbysjen e raporteve në këshillat bashkiakë, falë vendimmarrjes së forumeve përkatëse të LSI-së, që reaguan kësisoj energjikisht ndaj përshkallëzimit të përplasjes politike.
Një nga indekset e pasojave të kushtueshme të veprimit të Kryeministrit për KQZ, i zënë pa dyshim ngushtë nga rrjedhojat e koalicionit të ri dhe të paparalajmëruar PS-LSI, është edhe kompaktësimi i rrufeshëm i këtij koalicioni fare të ri.
Kompaktësim i cili fillimisht ecte me ngërçe për shkak të vrerit që shtrihej si një det i gjerë llave dhe zifti të shkrirë, stërmbushur me përbindësha që gurgullonte ndërmjet Ramës dhe Metës. Aroma mbytëse prej squfuri e kësaj mase të vrerët sa më s’ka duket se avulloi dhe u degdis në Askund, falë edhe faktorit KQZ, që është pak të themi, preludi i një lufte totale politike.
Tanimë, pra, mund të themi se beteja zgjedhore po mbërrin me shpejtësi marramendëse kulmin e temperaturës së vet.
Si do të shkohet, pra, në zgjedhje të përgjithshme tashmë pa KQZ, kur edhe përfaqësuesi i Vangjel Dules u vetëngri?
Ose e thënë ndryshe, si mund të zhvillohen zgjedhje me një KQZ të mbetur nën kontrollin tashmë, në masën 100%, nga shumica aktuale?
Çfarë besueshmërie do të ketë tashmë ky institucion, paraprakisht i konceptuar si i balancuar, kur gjendet sot krejtësisht i anuar në një krah?!
Reagimet e ambasadorit amerikan Arvizu janë në këtë kontekst veçanërisht të ashpra, gabon ambasadori, apo gabon politika shqiptare?
Me sa duket, dhe deri tash dukja e kësaj tabloje të vret sytë, procesi zgjedhor po shndërrohet me mendjelehtësi në një proçkë të madhe ku faturën, sigurisht faturën, do ta paguajmë të gjithë. Dhe me sa duket për një kohë të gjatë, duke paralajmëruar një proces dramatik zgjedhor dhe pa dyshim një klimë ndoshta jakobine paszgjedhore, mbarsur me hakmarrje dhe vrere të reja transversale.





