GREQI, 19 prill 2013- 500 të burgosur shqiptarë që ndodhen në burgjet greke do të transferohen në Shqipëri për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Lajmi bëhet i ditur nga ministria greke e drejtësisë, pas takimit që ka patur me zyrtarë shqiptarë zëvendësministri Kostas Karagunis, gjatë takimit rajonal të ministrave të drejtësisë në Beograd.
Sipas tij, të dy palët kanë rënë dakord për të filluar negociatat me qëllim që të përcaktohen modalitetet me të cilat të burgosurit shqiptarë në burgjet greke do të mund të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit në burgjet e vendit të tyre.

Sipas burimeve nga ministria e drejtësisë, synimi i parë i palës greke është që 500 të burgosur, të cilët që vuajnë akuza për krime të rënda, të transferohen sa më shpejt në burgjet e Shqipërisë.
Kjo iniciativë e ministrisë greke të drejtësisë inkuadrohet në përpjekjen për shkarkimin nga mbipopullimi të burgjeve greke, ku ndodhen rreth 4.000 të burgosur më shumë se kapaciteti normal i burgjeve.

Rreth 8.000 e të burgosurve në Greqi janë shtetas të huaj dhe nga këta, 2.500 janë shqiptarë.

Ata kanë qenë protagonistë ngjarjesh të rënda gjatë muajit mars, kur u shënua një pengmarrje nga Alket Rizai me qëllim largimin e tij nga burgu, si dhe arratisja spektakolare e 11 shqiptarëve nga burgu i Trikalas. Disa prej këtyre të fundit, sipas policisë, janë implikuar dhe në vrasjen e një qytetareje greke, gjatë një shkëmbimi zjarri me focat e rendit në Kornith.

Vetëm dy ditë më parë, Ambasadori shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi, gjatë një takimi në ministrinë e drejtësisë, përcolli vullnetin e qeverisë shqiptare për të gjetur me palën greke mundësitë që një numër i të burgosurve shqiptarë të kryejnë në atdhe pjesën e mbetur të dënimit.