DURRES, 19 prill 2013- Me disa plagë në organet gjenitale e përreth legenit dhe dy plagë hyrëse e dalëse në krahun e majtë, 36-vjeçari Përparim Zaçellari, i cili u plagos nga bashkëshortja e tij, tashmë ka dalë nga reanimacioni dhe është vendosur në një dhomë në repartin e ortopedisë. Përparimit i rrinë mbi kokë nëna Baria dhe dy fëmijët e mitur. Në një intervistë ekskluzive për "Gazetën Shqiptare", Zaçellari i plagosur nga bashkëshortja e tij deklaron se Leonora e kishte planifikuar krimin dhe donte ta vriste, pasi ishte xheloze. Në gjendje të rënduar shëndetësore dhe psikologjike, 36-vjeçari tregon historinë që prej kohës së dashurisë, deri në momentin kur gruaja qëlloi në drejtim të tij. 

Përparim a mund të na thuash si ndodhi ngjarja?

Bashkëshortja ime ka qënë përgatitur që më parë për të kryer krimin. Erdhi nga puna dhe ndezi televizorin e dhomës së gjumit dhe ia ngriti zërin në maksimum. Unë isha në sallon, po shikoja TV. Vajza ishte ende në shkollë, ndërsa djali luante jashtë me shokët e tij. I kërkova t'i ulte zërin televizorit, por nuk m'u përgjigj. 
 

Po më pas çfarë ndodhi?

Erdhi në sallon dhe më gjuajti me pistoletë. Një plumb më vërshëlleu afër veshit, por nuk më kapi. Më qëlloi sërish, unë e pashë që u gjakosa dhe zbrita tej poshtë shkallët, kur mbërrita në katin e parë më ra të fikët. Mbaj mend që një herë arrita t'ia kapja armën, por isha plagosur dhe ajo më qëlloi sërish. Kur plumbi më preku nga pjesa e kofshëve u zvarrita deri poshtë shkallëve. 
 

Gruaja juaj ka deklaruar se gjithçka e ka bërë për vetëmbrojtje, pasi ju ushtronit dhunë sistematike ndaj saj. A është e vërtetë?

Jo, kjo nuk është aspak e vërtetë. Kur gruaja erdhi nga puna, në rrugë kishte takuar motrën time, Zamirën. Ajo e kishte parë që kjo kishte në dorë një pistoletë. Ajo erdhi me pistoletë në çantë, qëllimisht e ka ndezur TV me zë të lartë, që unë të mos e dëgjoja kur ajo të mbushte armën. Ka ardhur e përgatitur për të më vrarë. U tregua më e shkathët. Po ta dija që do më qëllonte, do e kisha hequr qafe më parë. 
 

Pse thoni që donte t'ju vriste? A kishit pasur konflikte më parë?

Ajo ishte shumë xheloze. Për çdo herë që do dilja në punë më thoshte 'ku shkon', 'mos shko'. Para një viti si tani, iku nga shtëpia bashkë me dy fëmijët, për një muaj e gjysmë. Unë e mora sërish. I kisha folur gjithmonë, por nuk e bëra dot njeri dhe ajo u ngrit e më vrau. 
 

Ç'doni të thoni nuk e bëtë dot njeri?

Po i kisha folur që të mos bëhej xheloze, sepse do dilja në punë, do ushqeheshim. Ajo u bë shkak që të ndaheshim edhe nga prindërit. Ju fiksua të dilnim më vete dhe pleqtë i lashë vetëm në kat të parë, ne u ngjitëm në kat të dytë. Ma bëri jetën sterrë, kishte kaq vite, por unë nuk e ndava, sepse kishim dy fëmijë të parritur. 
 

Po arma e kujt është?

Unë mendoj që armën ia kanë dhënë vëllezërit e saj për të më vrarë. Ajo ka katër vëllezër, ka familjen e prindërve 150 metra më larg shtëpisë sime. Ajo e di ku e gjeti armën, se ne nuk kemi pasur në shtëpi. Me vëllezërit e saj kam pasur konflikt që kur iku nga shtëpia. Por ndoshta ka zënë edhe ndonjë dashnor që mund t'ia ketë dhënë për të më hequr mua qafe. Këtë ta zbulojë policia. 
 

Përparim a je i punësuar?

Në shtëpi kam një kamionçinë. Punoja ku të më dilte, në ndërtim. Por ajo ma bëri jetën zi. Leonora punonte e ndërpriste punën, si t'i tekej vepronte. 
 

Çfarë kërkoni ju?

Unë kërkoj që të vendoset drejtësi. Më me atë nuk do të bashkohem, por do të kërkoj nga gjykata edhe fëmijët. Nuk mund t'ia lë fëmijët e mi një nëne kriminele. Unë akoma nuk e di a do të bëhem më njeri, me këto plagë që kam. 
 

Si jeni martuar, me dashuri apo me shkuesi?

Ne jemi të dy nga fshati Velçan i Korçës. Jemi rritur bashkë, kemi qënë në të njëjtën lagje atje. Kur u dashuruam, unë isha 21 vjeç, Leonora 15. Tani e kemi djalin 14 vjeç dhe vajzën 8. Po ajo nuk u bë që s'u bë njeri kurrë, sepse nuk më respektoi as mua e as familjen time.