TIRANE, 4 prill 2013 – Kreu i Frymës së Re Demokratike gjatë një bashkëbisedimi me studentë i ftoi ata që të analizojnë me shumë vëmendje situatën dhe të mbajnë qëndrime personale në zgjedhjet e 23 qershorit.

Dinjiteti dhe personaliteti juaj vendos se si do të jetë e ardhmja e Shqipërisë, vijoi Topi, dhe jo piruetat e politikanëve të veçantë, për tu ngrysur diku dhe zgjuar diku tjetër, apo tendenca për tu kthyer tek ata që gati sa nuk janë vrarë me njëri tjetrin.

Topi theksoi nevojën e rotacioni politik dhe të një poli të tretë në Shqipëri, pasi sipas tij dy forcat e mëdha e kanë çuar debatin politik në ekstrem, që arriti kulmin me 21 janar.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike, Topi tha se i vetmi “puçist” që ka mbetur nga 21 janari jam unë, pasi të tjerët duket se e kanë gjetur veten, dikush këtu e dikush atje. Megjithatë shtoi ai, koha është gjykatësi më i mirë.

Topi tha se rotacion do të thotë rotacion elitash, meritokraci dhe jo njerëz të caktuar që qarkullojnë pushtetin në mjedise të ngushta dhe të errëta.