Një pamje spektakolare është regjistruar në Mekë, teksa një stuhi e fuqishme përfshiu qytetin e shenjtë mysliman dhe një rrufe goditi Kullën ikonike të Sahatit.
Momenti është kapur nga fotografi Youssef Badjas, i cili ka dokumentuar çastin kur një rrufe e fuqishme ndriçoi qiellin e errët, me kullën madhështore që dominonte sfondin.
Badjas e publikoi videon në platformën X, duke e përshkruar mbrëmjen si “të paharrueshme”, ndërsa vetëtimat dhe bubullimat krijuan një panoramë mbresëlënëse mbi qytetin e shenjtë.
Stuhia është dokumentuar edhe nga astronomi saudit Mulham Hindi, i cili publikoi fotografi dhe video të aktivitetit intensiv elektrik. Sipas tij, gushti dhe shtatori janë muaj kur stuhitë janë dukuri e zakonshme në Mekë dhe në rajonet perëndimore të Arabisë Saudite.
Moti i keq preku edhe zonën përreth Xhamisë së Madhe, ku pelegrinë dhe besimtarë u panë duke kryer namazin e Jacisë nën shi, sipas pamjeve të transmetuara nga Agjencia Saudite e Shtypit (SPA).
Ndërkohë, Emirati i Rajonit të Mekës publikoi imazhe të rrufeve që ndriçonin qiellin mbi qytet.
Me një lartësi prej rreth 601 metrash, Kulla e Sahatit është një nga strukturat më karakteristike të horizontit të Mekës dhe një prej pikave më të dallueshme të qytetit.
Pamjet e rrufesë që goditi kullën janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e mijëra përdoruesve.





