DURRËS, 4 prill 2013 – Partia Socialiste ka prezantuar sot në qytetin e Durrësit programin mbi shërbimet publike. 

Gjatë bashkëbisedimit me anëtarësinë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama theksoi se e majta nuk do e shohë kurrë shtresën në nevojë si burim votash, por do i garantojë ndihmën e nevojshme. Sipas Ramës, qeveria sot i bën shantazh kësaj shtrese duke e mbajtur peng për vota. 

“Janë 50 milionë dollarë që janë fond i konsiderueshëm, një shumë parash që dalin nga xhepat e popullit dhe pas 23 qershorit nuk do të shpenzohen për qëllime politike në dëm dhe cenim të dinjitetit të shqiptarëve të varfër dhe të papunë. E dinë shumë mirë familjet e varfra që janë pjesë e kësaj skeme të ndihmës ekonomike. Janë mbi 100 mijë familje në nevojë. E dini fare mirë se çfarë ndodh 4-5 muajve para zgjedhjeve sesi kryetarët e njësive vendore të partisë në pushtet e mbajnë pa dhënë këtë ndihmë ekonomike si peng për votën ashtu sikundër e përdorin emrin e të varfërve për të bërë shantazh për votën”.