TIRANE, 4 prill 2013– Sipas një vlerësimi të bërë nga ekspertët e ekonomisë, rritja ekonomike prej 1.6 %, publikuar nga INSTAT, për vitin 2012 është shumë e ulët dhe nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët. 

Sipas tyre, kjo normë minimale rritjeje tregon se ekonomia është e dobët përballë rreziqeve që mund të vijnë nga zhvillimet ndërkombëtare ose ato të brendshme. 

“Një ekonomi emergjente siç është ekonomia shqiptare, ku ekuilibrat janë shumë të brishtë, edhe nga pikëpamja teorike duhet të rritet fort me një kufi që shkon midis 5-10% në rastin më të mirë, në mënyrë që ta përgatis ekonominë ndaj çdo shoku apo goditje që asaj i vjen nga faktorë që nuk i ka në dorë, nga faktorë që mund të jenë tregje jashtë ekonomisë kombëtare, që mund të jenë zhvillime të papërcaktuara ose të papritura në ekonominë globale dhe në këtë mënyrë kjo ekonomi arrin ta mbajë ritmin e një qëndrueshmërie dhe të përkthehet në mirëqenie për banorët e vet. Në kushtet kur një ekonomi rritet me një ritëm prej 1.6% do të thotë që ajo është komplet e hapur ndaj çdo goditje apo ndaj çdo sjellje të papritur negative që mund të kenë partnerët e saj ekonomikë”,- deklaroi Luljeta Minxhozi, eksperte e ekonomisë. 

Ekspertët shprehen skeptikë edhe për masat që mund të merren për të nxitur rritjen ekonomike, pasi ato kushtëzohen nga niveli i lartë i borxhit. 

“Në kushtet kur ti ke një borxh kaq të madh, praktikisht gjithë fiskaliteti është i ngrirë dhe duhet të rikonsiderohet nga fillimi e gjithë qasja ndaj biznesit dhe burimeve të rritjes ekonomike”,- u shpreh Minxhozi. 

Muajt e fundit, zërat që theksojnë domosdoshmërinë e një modeli të ri ekonomik janë intensifikuar, me qëllim evidentimin e sektorëve që garantojnë rritjen ekonomike. 

Kjo nisur edhe nga shifrat e ulëta të rritjes ekonomike, që për vitin që lamë pas ishte 1.6 %, niveli më i ulët që prej vitit 1997.