TIRANE, 4 prill 2013– Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka postuar në Blogun e tij një shkrim nëpërmjet të cilit ka sqaruar të ata që  e kanë kundërshtuar koalicionin më të ri parazgjedhor PS-LSI.

“21 janari varet vetëm nga 23 qershori”, shkruan Rama.

Sipas tij, pjesa më e zymtë e reagimit ndaj ftesës për LSI-në është manipulimi mediatik me emocionet e forta të 21 janarit. “Ky manipulim nis me kundërshtarë fanatikë të bashkimit tonë me LSI, të cilët në 21 janar ishin në krahun e protestuesve. E pastaj shtrihet si shtresë e ndyhtë mbi sipërfaqen e llumit të medias proqeveritare, nën diktatin e disa botuesve të cilët në ditët pas 21 janarit lanin poturet e kryeministrit apo ndërronin kompresat mbi ballin e Ministrit të Brendshëm”, shpreh kryesocialisti.

Rama u është drejtuar të gjithë atyre që  shprehen  kundër këtij bashkimi duke u thënë se nuk i mirëkupton. Më pas u drejtohet  atyre, që sipas tij, tek bashkimi i PS me LSI shohin fundin e një biznesi djallëzor me shtypin e tyre zagar gjahu të pushtetit dhe vetveten kalë shëtitjeje në pyllin e korrupsionit për kryeministrin a për ish-ministrin e brendshëm të 21 janarit,  duke theksuar se ndjen një neveri të patregueshme.

Sakaq, postimi u drejtohet edhe atyre që lideri i majtë  i citon  “ata më të vërtetët”, dhe shprehet .. “janë ata që në fakt më shtynë t’i shkruaj sot këta rreshta. Janë të tërë ata mbështetës që kanë rrugëtuar me mua në këto vite të rënda, duke më dhënë energji, kurajo, forcë e durim dhe që ndjehen keq nga ky bashkim sepse kujtojnë 21 janarin. I kam lexuar një për një gjithë ç’kanë shkruar nëpër rrjete dhe ç’më kanë shkruar mua personalisht. I kam dalluar ata shumë ndjekës të mi besnikë që flasin me zemrën e lënduar të opozitarit, nga disa dhjetra minj të nxjerrë prej gjirizave të medias proqeveritare, të cilët janë kurdisur për të lënë ditë-natë, kudo nëpër uebfaqe gjurmë të bishtit të tyre të qelbur ngjyer në gjakun e pastër të 21 janarit”.

“Pa larguar Saliun dhe partinë e tij familjare, gjithçka tjetër mbetet përshpirtje jashtë realitetit. Dhe për të larguar të Keqen e Njohur duhet medoemos bashkimi ynë me LSI, si edhe gatishmëria jonë për të bërë koalicion me çdo forcë tjetër politike përveç PD-së. Ne jemi plotësisht të gatshëm për këtë”, vazhdon postimin Rama.

Ai shton se nuk duhet harruar se 23 qershori nuk është një ballafaqim normal elektoral për të zgjedhur mes dy alternativash në një mjedis demokratik, por është një betejë e madhe për të mos lejuar në radhë të parë  sipas tij, përsëritjen e qershorit 2009 dhe 8 majit të Tiranës 2011. “Eshtë një betejë deri në dekikën e fundit për të përcaktuar nëse Shqipëria do të rrënohet ende më shumë përmes zgjedhjesh të vjedhura, apo do të rilindë duke u çliruar nga zgjedha e vjedhësit të zgjedhjeve të shkuara – i cili jo rastësisht është edhe i dyshuari kryesor si urdhëruesi i vrasjeve të 21 janarit” thotë kryesocialisti.

Në përfundim Rama përcakton se “23 qershori është dita që opozita të marrë pikërisht hakun moral për 21 janarin, duke e degdisur me votë jashtë zyrave të shtetit Kryeministrin e 21 janarit dhe partinë e tij familjare”