TIRANË, 4 prill 2013– Arben Frroku, i dyshuari kryesor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, pasditen e 24 shkurtit në Tiranë  duket se i ka shpëtuar tani për tani drejtësisë shqiptare, pasi gjykata e Selanikut ka vendosur që çështjen t`ia kalojë Gjykatës së Lartë.

Pala mbrojtëse e bizesmenit Frroku ka arsyetuar se nuk ka prova të mjaftueshme që implikojnë klientin e tij në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. 

Avokati i Frrokut ka arsyetuar se të dhënat në dosjen e ardhur nga Shqipëria për klientin e tij, janë të pavërtetuara.

Ai ka thënë se grupi hetimor shqiptar ka nisur në Greqi vetëm disa prova që nuk fajësojnë drejtpërdrejtë Frrokun në vrasjen e kryekomisarit.

Edhe filmimet e marra nga një kamer sigurie disa sekonda para ngjarjes nuk kanë evidentuar nëse i arrestuari në Selanik ka qenë apo jo në afërsi të shtëpisë së Lamajt.

Mbrojtja e Arben Frrokut ka filluar të lëvizë me shpejtësi, duke mbledhur prova se biznesmeni nuk është ekzekutori, ndërsa ka dyshime se ai mund të jetë edhe urdhëruesi.

Gjithsesi, avokatët kanë përgatitur edhe mbrojtjen që do të bëjnë në Gjykatën e Selanikut, ku do të kundërshtojnë ekstradimin.

Ndërkohë gjykata e Selanikut vendosi për ekstradimin e Jak Jakut në Shqipëri, i cili u kap me armë e drogë, bashkë me Frrokun në një hotel në Selanik.