DURRES, 4 prill 2013- Kriza ekonomike e cila po reflektohet dukshëm edhe në vendin tonë ka ndikuar në uljen e volumit të mallrave të importuara, si karburante, cigare e pije alkoolike. Në 3- mujorin e parë të këtij viti është shënuar një rënie në masën 20% të shkëmbimit tregëtar të mallrave në portin e Durrësit. Janë disa faktorë që kanë ndikuar në uljen e trendit të të ardhurave, por drejtori i doganës së Durrësit Jaçe Hysolli, rendit dy shkaqe kryesore, të cilat luajnë dhe rolin determinant.
“Përgjatë 3-muajve të parë të këtij viti, në krahasim me tre mujorin e fundit të vitit që lamë pas, kemi një tkurrje të importit të mallrave. Dy janë arsyet që kanë ndikuar në uljen e të ardhurave. Rënia e volumit të importit të karburanteve,dhe cigareve, të cilat mbajnë peshën kryesore tek mallraye të importuara. Grumbullimi i mallrave në magazinat e operatorëve ekonomik përgjatë fundvitit të kaluar, ka sjellë si pasojë mos importimin e produkteve të reja gjatë 3-muajve të parë të këtij viti. Ky është një tjetër faktor që ka ulur ndjeshëm mallrat e importit.”- tha Hysolli.
Kërkesa e tregut në 3-mujorin e parë të vitit, tregon Hysolli, është gjithmonë në rënie, por në muajt në vazhdim treguesit fiskal do të shënojnë rritje. Krahas rënies së importeve, dogana e Durrësit përgjatë kësaj periudhe e ka ruajtur trendin e të ardhurave mbi mesataren e përcaktuar, kjo falë mallrave të akcizës si kafeja, vera etj, por edhe mallrave të eksportuara, të cilat kanë gjithashtu një peshë të konsiderueshme në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





