SPANJE, 4 prill 2013– Spanjollët  e kanë mirëpritur hetimin e princeshës Kristina, vajzës së mbretit Huan Karlos për akuzat e ngritura ndaj saj për korrupsionin.

Sipas mediave bëhet fjalë për një nga çështjet që ka zemëruar publikun në Spanjën e përfshirë nga papunësia e recesioni. Princesha 47-vjeçare është urdhëruar të paraqitet përpara gjykatësit më 27 prill për hetimet paraprake që duket se do të ngrenë një çështje ligjore ndaj një pjesëtareje të familjes mbretërore.

Gjykata vlerësoi se ka të dhëna se princesha është bashkëpunëtore e bashkëshortit të saj, i akuzuar për mashtrim fiskal dhe përvetësim të 6 milionë euro të fondeve publike, kur ai drejtonte një fondacion bamirësie.

Në rrugët e Madridit, njerëzit janë shprehur jo të cuditur nga rasti, dhe e mirëpritën vendimin e gjykatës si të mirë, pasi Drejtësia duhet vënë në vend.

Familjes mbretërore spanjolle i ka rënë shumë popullariteti. Vitin e kaluar, Mbreti Carlos është detyruar të kërkoj falje pasi kishte shkuar në turne në Afrikë për gjueti të elefantëve, në kohën kur në Spanjë papunësia ka arritur nivel rekord.