PARIS, 31 mars 2013 – Policia franceze ka arrestuar një 58 vjeçar, i cili për 30 vjet me rradhë ilegalisht ka punuar si arkitekt duke ndërtuar disa shkolla dhe një spital. 

Arkitekti i rremë u arrestua afër Parisit ndërsa ishte duke mbikqyrur ndërtimin e një shtëpie. 

Vendimet e çuditshme të këtij “ndërtuesi popullor” e shtynë pronarin e shtëpisë të pyeste për të në Dhomën e arkitektëve.  

Duke konstatuar se ai nuk gjendej në asnjë regjistër të Dhomës, rasti u paraqit në polici. Sipas gazetës Parisier, mashtruesi pranoi në polici se ishte prezantuar si arkitekt i rremë që nga viti 1983.

Supozohet se ndërmjet viteve 2009 – 2013 ai ka përfunduar disa punë me vlerë 926.000 euro dhe për këto duhet të përgjigjet në gjykatë. 

Për veprat e bërë para kësaj periudhe nuk do të përgjigjet, sepse ndërkohë është bërë parashkrimi i tyre.