TIRANE, 31 mars 2013 – Në vijim të fushatës “100 arsye për të mos votuar Sali Berishën”,  anëtarja e grupit të punës për PS-në, Milena Harito e ka cilësuar braktisjen e emigrantëve shqiptarë një tjetër dështim të turpshëm të Sali Berishës në 8 vjet qeverisje. 

“Edhe pse emigrantët përfaqësojnë së paku 1/4 e qytetarëve të Shqipërisë dhe kanë dhënë një kontribut shumë herë më të madh se ai vetë qeverisë në zhvillimin e vendit, Sali Berisha nuk ka bërë absolutisht asgjë për të adresuar çështjet që i shqetësojnë, apo qoftë edhe për t’u treguar se shteti shqiptar i konsideron ende emigrantët si qytetarë të këtij vendi”, – u shpreh Harito.

Më tej Harito shtoi se me ardhjen në pushtet të opozitës do të krijohen paketa financiare me kushte të buta për emigrantët që duan të investojnë në vendin e tyre të origjinës.

“Ne do t’u japim atyre të drejtën të votojnë, do të negociojmë në mënyrë prioritare një marrëveshje për pensionet me Italinë e Greqinë, do të kalojmë menaxhimin e konsullatave në duar të përfaqësuesve të emigracionit dhe do të krijojmë paketa financiare lehtësuese për ata emigrantë që dëshirojnë të kthehen e të investojnë në Shqipëri”,- tha Harito.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/