Greqi, 30 mars 2013– Policia greke gjatë natës së të premtes ka shkëmbyer zjarr me 3 persona të dyshuar si tre shqiptarë të arratisur nga burgu i Trikalasë javën e kaluar.

Sipas të dhënave të para nga policia greke gjatë shkëmbimit të zjarrit një vajzë-25 vjeçare ka mbetur e vdekur.

Gjithçka nisi kur në mesnatë tre personat e dyshuar  të armatosur me armë tip kallshnikov u futën në tavernën “Babis” në km e 37 në afërsi të aksit Athinë-Thiva dhe grabitën paratë dhe fuoristradën tip Subaru e zezë me targa YPO 1394 që i përkiste pronarit të kësaj taverne.

Policia pasi mori informacionin u vu në ndjekje të 3 të dyshuarve dhe i pikasi në zonën e quajtur Kineta.

Menjëhërë sapo janë afruar më mjetin që po udhëtonin tre personat e dyshuar,  policia nisi të hapë zjarr, dhe për pasojë humbi jetën një vajzë 25 vjecare, e cila ishte kalimtare e rastit.

Policia greke ka nisur tashmë një operacion të gjerë nga toka dhe ajri për kapjen e tre të dyshuarve shqiptarë.