DURRES, 24 shkurt 2013 – Mjeshtri i madh i skenave botërore, Uilliam Shekspir dhe komedia e tij e famshme “Ëndrra e një nate vere” do të zbarkojnë në Durrës. Në historinë 60-vjeçare të Teatrit “Aleksandër Moisiu” dramaturgu i madh anglez nuk është vënë asnjëherë në skenë.

Sprovën për të sjellë para publikut durrsak një nga veprat më të njohura të artistit të madh e ka marrë përsipër regjisorja e njohur Driada Dervishi. Për koinçidencë, në 60-vjetorin e funksionimit të teatrit të Durrësit, regjisorja e re mbush 10 vjet në profesion. Pak kush mund ta besojë kur sheh trupin e imët të saj, që të shtyn të mendosh se ke të bësh me një studente e jo një regjisore tashmë të afirmuar.

“Kush më mirë sesa Shekspiri do të ishte i denjë për t’u vënë në skenë në këto dy përvjetorë të rëndësishëm, për teatrin e Durrësit, por edhe për mua personalisht”,- thotë Driada gjatë një interviste për Agjensinë e Lajmeve “Dyrrah”.

Dervishi tregon se është një sfidë më vete vënia e një pjese të tillë në skenë, pasi kërkon impenjim të madh profesional, por njëkohësisht edhe buxhet, për më tepër që shumë kush i di vështirësitë nëpër të cilat po kalon arti shqiptar dhe teatri në veçanti. Gjithsesi Dervishi i pëlqen sfidat dhe shprehet se kur gjërat bëhen me përkushtim ato dalin mirë.

Një nga pikat më të forta të kësaj pjese, që do të jetë premiera e parë për këtë vit e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, është gjetja regjisoriale, ndërkohë elementi tjetër i këndshëm do të jetë ndërthyrja e tre brezave që kanë bërë dhe po bëjnë historinë e këtij teatri.

“Pjesa teatrale ‘Ëndrra e një nate vere’ është një komedi fantazioze, gjithçka zhvillohet në pyll dhe kjo të jep mundësi të luash shumë me imagjinatën. Shekspiri na çon në një botë përrallore, një botë që del jashtë kuadrit të të përditshmes, e që e sheh vetëm në ëndrra apo imazhet vizuale në mendjen tënde. Pikërisht me këtë duam të luajmë dhe ne, për t’i krijuar publikut idenë se ndodhet jashtë realitetit të zakonshëm, ndodhet brenda një nate teatër”,- thotë Dervishi.

Në një të përditshme të ngarkuar me stresin e zakonshëm të frikës së humbjes së vendit të punës, të pamjaftueshmërisë së parave, të krizës botërore dhe konflikteve familjare, të aktualitetit të dhunshëm që na përplaset çdo ditë në fytyrë nga mediat e shkruara dhe ato vizive, Dervishi kërkon të sjellë një bote ndryshe, të fshehur në skutat e memories të të gjithëve neve, që të stresuar nga ritmi frenetik i ditëve të punës kemi harruar botën ku imagjinata s’njeh kufi e ku rikthehemi sërish fëmijë.

Duke mos dashur të rrëfejë sekretet e shfaqjes për t’ia bërë surprizë publikut që do vijë ta ndjekë komedinë në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, Dervishi tregon në vija të trasha atë që do të jetë gjetja regjisoriale për këtë pjesë, ku aktrojnë 15 aktorë, disa madje edhe me 2 apo 3 role.

“Surpriza që do të ketë përpara publiku kur të hapet sipari i shfaqjes do të jetë fakti se aktorët do të jenë të veshur me rrobat e një shfaqje tjetër, pasi sapo janë duke e përfunduar atë. Në skenë do të kemi trupën e zanatçinjve që po përgatisin pjesën që do shfaqin para mbretit Teze. ‘Shfaqja brenda shfaqjes’ është një koncept regjisorial që mendoj se do të krijojë një atmosferë mjaft të ngrohtë dhe momente humori tek publiku në sallë”,- thotë Dervishi.

Ndërkohë përsa i përket trupës aktoriale ajo do të jetë e përbërë nga 15 aktorë. Në skenë do të ngjitet një nga themeluesit e teatrit durrsak, aktori i njohur Lutfi Hoxha, që së bashku me Aishe Starin, do t’i kujtojnë publikut durrsak atë kohë, kur salla e teatrit mbushej plot e përplot jo vetëm ditën e premierës, por për javë të tëra. Ndërkohë brezi i dytë i aktorëve si Roland Koça, Hysen Bashhysa (doli në pension vetëm pak muaj më parë) dhe Sanie Hoti përbëjnë brezin e aktorëve që kanë përjetuar suksesin e këtij teatri, por dhe vitet e gati mosfunksionimit të tij total.

Ndërkohë brezi i tretë janë ata më të rinjtë si Andia Xhunga, Adelina Muça, Besmir Bitraku, Xhejni Fama etj, që janë aktorët e përspektivës së këtij teatri me shumë traditë. Provat në skenë kanë nisur prej kohësh dhe gjithçka tashmë po bëhet gati për ditën e premierës.

Kostumografia, që për këtë pjesë do të jetë mjaft e veçantë, i është besuar piktores së re dhe të talentuar Kejdi Sejdiu. Komedia pritet të vihet në skenë në mesin e muajit mars.  

/Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/