PESHKOPI – Goditet pedagogia pasi vuri një notë pakaluese. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e universitetit të Peshkopisë, ku pedagogia e Sociologjisë. Abla Xhaferi, ka denoncuar në Komisariatin e Policisë së këtij qyteti dhunën e ushtruar ndaj saj nga shtetasi Bledar Elezi, 26 vjeç, punonjës i një banke private, raporton Balkanëeb.
Abla Xhaferi ka deklaruar para forcave të rendit se ishte goditur në prani të studentëve dhe pedagogëve të Peshkopisë në momentin kur ajo po ngjiste shkallët.
“Jam kërcënuar, fyer e goditur me grushte nga shtetasi Bledar Elezi, vëllai i një studenteje të këtij filiali. Unë i pata vendosur notë negative motrës së Bledarit, pasi testin e provimit nuk e kishte plotësuar si duhet. Kështu veprojmë ne pedagogët sa herë studentët nuk u përgjigjen pyetjeve të testit. Nuk e mendoja kurrë se për shkak të ushtrimit të detyrës si pedagoge do të përballesha me një sulm të tillë fizik. Sapo patën mbaruar dy orët e para të mësimit, përballë më vjen personi, i cili pasi konfirmoi se kush isha, më kërkoi llogari pse i kisha vënë notë të keqe motrës së tij në test. Papritur më fyen rëndë dhe më gjuan me shpulla, duke më rrëzuar përtokë, në prani të shumë dëshmitarëve, studentë e pedagogë”, ka deklaruar në polici pedagogia.
Pak minuta më pas, policia ka marrë në pyetje edhe Bledar Elezin, i cili e ka pranuar dhunimin e pedagoges dhe i ka kërkuar ndjesë asaj, duke theksuar se do të ishte më mirë që ajo ta tërhiqte denoncimin.
Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër pohuan se është marrë masa e arrestit në flagrancë për shtetasin 26- vjeçar, Bledar Elezi, për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”.





