TIRANE, 29 mars 2013– Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dekoruar kampionin shqiptar të boksit për peshat super të mesme në Federatën IBC, Kreshnik Qato, me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
“Për talentin dhe kontributin e çmuar që ka dhënë dhe jep për të mbajtur lart jehonën e sportit shqiptar kudo në botë”, shkruhej ne motivacionin e urdhërit të dhënë nga kreu i shtetit.
“Është shumë e pakët sot të flasësh, dhe të dedikosh vlerësimin për kontributin e qindra njerëzve të tillë, sepse në këtë kontribut është shtrirë gjithë jeta e tyre. Mjaft prej këtyre ikonave të sportit sot nuk janë më midis nesh, por ajo që është shumë e rëndësishme, është se emri dhe vepra e tyre kujtohet gjithmonë. Prandaj, unë do të dëshiroja që t’ju ftoja të gjithë së bashku, që nderimin që i bëjmë Kreshnikut ta konsiderojmë dhe si një kujtim dhe nderim të të gjithë atyre sportistëve, të cilët tërë jetën e tyre, pasionin dhe angazhimin e tyre individual, njerëzor, familjar, por dhe dhuntinë që patën, e ofruan për konsolidimin e kulturës së kombit dhe vendit e tyre”, tha Nishani.
Pas leximit të dekretit presidencial, boksieri Kreshnik Qato i shprehu mirënjohjen e tij Presidentit Nishani.
“Është një kënaqësi që nuk besoj se do të më vijë ndonjëherë dhe gjej rastin t’ju falenderoj, që keni organizuar së pari një takim special posaçërisht vetëm për mua”,- tha Qato.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





