DURRES, 29 mars 2013 – Rreth 50 të rinj të Lëvizjes Rinore për Integrim Durrës, kanë dhuruar gjak në mënyrë vullnetare, për t’i ardhur në ndihmë Bankës Kombëtare të Gjakut. Qëllimi i kësaj nisme ka qënë sensibilizimi i të rinjve në mbarë vendin për t’u bërë promotorë të dhurimit vullnetar të gjakut.

Anëtarët e forumit rinor të LSI-së Durrës i janë drejtuar paraditen e sotme Bankës së Gjakut duke dhënë kështu një shembull pozitiv, jo vetëm për të rinjtë e qytetit bregdetar, por edhe qyteteve të tjera të vendit.

Elitjona Doko, një ndër anëtaret e LRI-së Durrës, është shprehur se “nuk ka mision më fisnik se dhurimi vullnetar i gjakut, për të shpëtuar jetë njerëzish. Prandaj dhjetëra të rinj të Lëvizjes Rinore për Integrim Durrës, sot janë bërë pjesë e kësaj nisme për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë urgjente për gjak. Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë të rinjve për t’u bërë pjesë e kësaj inisiative, për të shpëtuar jetë njerëzish, pasi Banka e Gjakut ka nevojë për dhurues”.

Ndërkohë koordinatorët e Kryqit të Kuq Durrës përgëzuan nismën e këtyre të rinjve dhe nënvizuan rëndësinë që ka dhurimi vullnetar i gjakut për të plotësuar nevojat e pacientëve në të gjithë vendin dhe personave që vuajnë nga talasemia.  

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/