TIRANE, 29 mars 2013– Ambasadori rus në Tiranë Leonit Abramov ka vlerësuar marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Rusisë ndërsa ka kërkuar edhe intensifikim të tyre në shumë fusha.
Në një konferencë për shtyp, ambasadori Abramov ka theksuar se është i domosdoshëm nënshkrimi i një protokolli që lehtëson lëvizjen mes dy vendeve për një kategori personash.
“Jemi të gatshëm të nënshkruajmë një protokoll për lehtësimin e lëvizjes pa viza për disa kategori si turistët, të rinjtë, akademikët dhe përfaqësues të fushave të tjera.
Shpresojmë që ky protokoll të nënshkruhet shpejt pas konsultimeve me ministrinë e jashtme” tha ambasadori.
Ambasadori rus gjithashtu nënvizoi edhe rëndësinë e një bashkëpunimi ekonomik më të madh mes dy vendeve duke shtuar se interesi i kompanive ruse për investim në Shqipëri është shumë i madh.
I pyetur në lidhje me skualifikimin e kompanisë Gazprom nga tenderi për privatizimin e Albpetrolit, ambasadori rus theksoi se: nëse qeveria që do dalë pas zgjedhjeve do të jetë e hapur ne do të shikojmë mundësinë e pjesëmarrjes në tenderin e Albpetrolit”.
“Unë nuk mban përgjegjësi për leket e privatit rus, por ambasada nga ana e vet bën përpjekje për tërheqjen e sa më shumë kompanive në tregun shqiptar” theksoi ambasadori.
Ndërsa është pyetur për njohjen e Kosovës, ambasadori rus theksoi se shpreson që herët a vonë të zgjidhet kjo çështje ndërsa shtoi se Rusia mbështet dialogun Kosovë-Serbi.
“Shpresoj që herët a vonë të zgjidhet edhe problemi i Kosovës. Kjo të ndodhë falë punës intensive që po zhvillohet nga shtetet rajonale, falë të cilave po ruhet paqja dhe stabiliteti në Ballkan. Për mosnjohjen e Kosovës unë do të thoja se ky është një vendim sovran i çdo shteti të pavarur. Mbështesim bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe rritjen e përfaqësimit politik në këto bisedime. Përparimi në negociata në radhë të parë për bashkëjetesën e komuniteteve të ndryshme është i arritshëm falë bisedimeve” tha ambasadori.
Gjithashtu ambasadori rus theksoi më tej se nacionalizmi është i rrezikshëm dhe kategorikisht i papranueshëm.
“Që në dhjetor (2012) kam mbështetur kolegun tim Arvizu dhe kam përmendur që një shqetësim i tillë ekziston. Duhet të saktësoj ekziston patriotizmi shqiptar, si ai rus, por dhe nacionalizmi, dhe diferenca është se patriotët janë të prirur t’i zgjidhin problemet për llogari të vet dhe jo shteteve të tjera. Nacionalizmi është i rrezikshëm se mund të kalojë në çështjen e ndryshimit të kufijve. Kjo është kategorikisht e papranueshme duke marrë parasysh termin e sallatës ballkanase dhe ekzistencës së një terreni jo shumë stabël. Ministri im i punëve të Jashtëm Lavrov gjatë një konference më 29 janar 2012 në Moskë iu përgjigj pyetjes së gazetarit dhe përgjigjja ishte se nacionalizmi është i papraueshëm jo vetëm për interesat e Rusisë por interesat thelbësore të çfarëdo shteti tjetër” tha Abramov.
Ambasadori Abramov theksoi më tej se Rusia është një vend i fuqishëm në rajonin e Ballkanit, falë qëndrimit të saj në mbështetje të paqes e stabilitetit, mbështetur në ndërveprimet politike dhe forcimin e marrëdhënieve tregtare e ekonomike.





