TIRANE, 29 mars 2013– Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nis sot konstituimin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Sipas programit të përgatitur nga Administrata e KQZ-së,  theksohet se sot në orën 10.00 do të bëhet konstituimi i KZAZ-ve në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, ndërsa nesër në të njëjtën orë do të bëhet konstituimi i KZAZ-ve në qarqet e tjera të vendit.

“Në zbatim të vendimit të datës 25 mars 2013 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “Për ngritjen dhe thirrjen e mbledhjes së parë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23 Qershor 2013”, ditën e premte dhe ditën e shtunë do të bëhet konstituimi i Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor” thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se i ka marrë të gjitha masat për dërgimin e gjithë bazës materiale që do të shërbejë për fillimin e punës së këtyre Komisioneve si dhe do të asistojë me përfaqësuesit e vet në konstituimin e këtyre Komisioneve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar partitë politike për ditën, orën dhe vendin ku do të zhvillohen mbledhjet e KZAZ-ve në të gjitha qarqet e vendit duke vënë në dispozicion të tyre dhe dokumentacionin përkatës” thuhet në deklaratë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjithashtu i bën thirrje partive politike të cilat kanë anëtarë në këto Komisione që në funksion të përmbushjes së këtij detyrimi ligjor të japin kontributin e tyre në konstituimin e KZAZ-ve, brenda afatit të përcaktuar në vendimin e KQZ-së.

Gjithashtu KQZ kërkon nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore në territorin administrativ të të cilave do të vendosen selitë e KZAZ-ve, të krijojnë të gjitha kushtet dhe lehtësitë e nevojshme për mbarëvajtjen e punës së këtyre Komisioneve.