BRAZIL, 28 mars 2013 – Të vrasësh pacientët, për të liruar shtretërit. Ky është skandali i radhës i raportuar në Brazil, ku e ashtëquajtura "Doktoresha e Vdekjes", së bashku me stafin e saj akuzohen për vrasjen e shtatë pacientëve. Doktoreshë Virginia Soares de Souza dhe shtatë asistentë të saj, të terapisë intensive në spitalin e qytetit Curitiba, janë akuzuar për vrasjen e shtatë pacientëve.
Lidhur me këto akuza të forta dhe të drejtëpërdrejta, de Souza ka mohuar akuzat për vrasje së bashku me stafin e saj të mëparshëm. Ajo u arrestua në shkurt dhe u lirua me kusht javën e kaluar, por prokurorët kanë kërkuar që ajo të rikthehet në paraburgim pas zbulimit të fakteve për orkestrim të vdekjes së pacientëve, nën kujdesin e saj.
E gjithë historia ka marrë udhë teksa janë zbuluar disa incizime ku 56- vjeçarja De Souza shprehet e vendosur për të liruar shtretërit në pavion, duke thënë se "për fat të keq, misioni i tyre si mjekë ishte të bëheshin trampolinë ndërmjetëse për në botën tjetër".
Prokurorët thonë se ajo i ka injektuar barna për relaksim të muskujve pacientëve, para se të reduktonte furnizimin e tyre me oksigjen. Doktoreshë Virginia Soares de Souza përballet me 7 akuza për vrasje të shkallës së parë. Tre mjekë, tre infermiere dhe një fizioterapist dyshohen se janë bashkëpunëtorë të saj, ndërsa po shqyrtohen kartelat e 1700 pacientëve të vdekur në 7 vitet e fundit.





