TIRANE, 28 mars 2013 – Në tryezën e radhës, kreu i FRD-së Bamir Topi e ka cilësuar kryeministrin Berisha si pasardhës të Ramiz Alisë, duke e akuzuar atë për nëpërkëmbje të çështjes së pronave. “Ju sjell fjalën e Ramiz Alisë në 1989 kur thoshte: Ne do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm të jemi ne dhe njerëzit tanë.

Me këtë strategji, brenda dy tre legjislaturave, do të arrijmë që nga klasat komuniste të krijojmë klasën kapitaliste. Të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’u japim pronën e tyre dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri-tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacion nga Gjykata e Shkallës së Parë në të Dytën etj dhe për “difekte teknike” do të kthehen përsëri në të parën…”, tha Topi.  

Topi u ndal tek nisma e mazhorancës “Shqipëria 1 Euro”, e cila sipas tij, bie ndesh me njerëzit që kërkojnë të drejtën e pronës. “Bëhet fjalë për një abuzim që ka ndodhur dhe ndodh akoma", tha Topi.

"Si ka mundësi që vazhdon sërish historia e parrullës “Shqipëria 1 euro”? Kemi një kontradiktë të madhe, në një anë njerëzit që kërkojnë të drejtën e pronës, që i janë drejtuar Strasburgut, ku ky i fundit u ka dhënë të drejtë duke penalizuar politikat e pushtetit”, shtoi kreu i FRD-së.