ITALI, 28 mars 2013 – Përpjekja për një marrëveshje për qeverinë e re italiane ka dështuar, kryeministri i ngarkuar nga presidenti Napolitano, Pier Luixhi Bersani ka raportuar se konsultimet për formimin e qeverisë së re kanë qenë pa sukses!

Në takimin me anëtarët e Lëvizjes 5 Yjet të Beppe Grilos, Bersani ka bërë një ofertë të qartë që ai e ka cilësuar si një ofertë për një qeveri ndryshimi. Por Lëvizja 5 yjet pas takimit tha se nuk iu beson verbërisht fjalëve të Bersanit.

Në raportin që kreu i PD-së Pier Luigi Bersani i bëri presidentit Napolitano, është shprehur se nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje me kreun e PDL-së Silvio Berlusconi për krijimin e qeverisë së re të Italisë. 

Propozimi i kryeministrit të ngarkuar për të formuar një qeveri të re, qëndronte në faktin se për Italinë duhet një qeveri që do të sillte ndryshimin si në aspektin ekonomik por edhe në atë sociale.

Nga të dyja partitë nuk ka ende një marrëveshje zyrtare që i ka bërë shumë njerëz të jenë skeptik se vendi me ekonominë e tretë në Eurozonë  do të shkojë sërish në zgjedhje.

Italia doli nga zgjedhjet pa qeveri, pasi asnjë nga partitë nuk mundi të merrte votat e nevojshme për krijimin e mazhorancës. Nëse brenda afateve ligjore kreu i PD-së Pier Luigi Bersani nuk mund të ndërtojë qeverinë e re, atëherë Italia do të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.