DURRES, 28 mars 2013 – Autoriteti Portual Durrës ka vendosur të nxjerrë nga fundi i basenit anijet dhe peshkarexhat e fundosura në kalatën lindore. Thellimi i portit të Durrësit e kërkon me urgjencë një gjë të tillë, për këtë arsye Autoriteti Portual ka vendosur të zhvillojë në fund të muajit mars tenderin ku do përcaktohet firma që merr përsipër këtë proces.

Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Eduard Ndreu, deklaron se pas përcaktimit të firmës fituese do të nisë menjëherë puna për nxjerrjen e anijeve të mbytura. Vitet e fundit, në basenin e portit më të madh në vend janë mbytur disa peshkarexha. Amortizimi i tejskajshëm i tyre dhe braktisja nga ana e pronarëve kanë sjellë për pasojë mbytjen e tyre të ngadaltë.

Drejtori Ndreu sqaron se për tenderin në fjalë është vënë në dispozicion shuma 18.2 milion lekë të reja. Firma që do të shpallet fituese do të ketë në dispozicion një afat 3-mujor për nxjerrjen nga thellësitë ujore të anijeve të mbytura.

Vetëm dy javë më parë, një tjetër peshkarexhë u mbyt në basenin e portit, pasi u godit nga një traget i linjës Durrës-Bari gjatë manovrimeve të këtij të fundit për t'u ankoruar.

Pas nxjerrjes, anijet do të vlerësohen dhe do të shiten për skrap. Pastrimi i basenit nga anijet e mbytura do t’i hapë dritën jeshile punimeve për thellimin e basenit të portit, një projekt ky i nisur vite më parë, por i lënë përgjysëm.

Thellimi i basenit do të krijonte kushtet për ankorimin në kalatat e portit të anijeve tregtare mbi 20 mijë tonë, duke e bërë kështu edhe më konkurues portin e Durrësit.

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/