TIRANË, 28 mars 2013- Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë prezantimit të mbështetjes së Ambasadës Amerikane për zgjedhjet parlamentare 2013 në Shqipëri, i rikujtoi klasës politike porosinë e sekretares amerikane të shteti Hilari Clinton, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në mënyrë që të rritet besimi tek shqiptarët por edhe në sytë e botës. 

“Në mënyrë që zgjedhjet të jenë të suksesshme, votuesit shqiptarë duhet të kenë një interes aktiv dhe konstruktiv për procesin zgjedhor. Gjithashtu, partitë politike, qeveria e Shqipërisë dhe palë tjera institucionale – këtu përfshij specifikisht gjykatat – të gjithë duhet të angazhohen në mbështetje të rezultateve të lira, të ndershme dhe transparente. Sikurse Sekretarja Klinton iu tha deputetëve në fjalimin e saj në parlament në nëntor 2012: “Siguroni që zgjedhjet tuaja të ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe që të shihen si të tilla nga e gjithë bota. Në radhë të parë kjo duhet në mënyrë që populli i Shqipërisë të mund të ketë besim tek rezultati dhe tek ju si udhëheqësit e tyre.' Është shumë e qartë, që zgjedhjet e 23 qeshorit të jenë të suksesshme do të varet nga ju: populli shqiptar dhe udhëheqësit tuaj. Një rezultat i pranueshëm do të vijë vetëm përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes. Sekretari ynë i ri i Shtetit John Kerry vuri në dukje rëndësinë e kompromisit ndërmjet partive politike në cilëndo demokraci, në komentet gjatë vizitës së tij të fundit në Egjipt. Ai theksoi, “duhet të ketë vullnet nga të gjitha palët për të bërë kompromise kuptimplota mbi çështje që kanë më shumë rëndësi për … popullin” u shpreh Arvizu. 

Gjatë fjalës së tij ambasadori amerikan theksoi se qeveria ka detyrim të garantojë zgjedhje transparente dhe në përputhje me kushtetutën dhe kodin zgjedhor. Ambasadori amerikan vlerësoi se kompromisi dhe gjithëpërfshirja janë dy kushtet kyçe për suksesin e zgjedhjeve të 23 qershorit. 

“Në muajin janar, shkrova një editorial mbi zgjedhjet e ardhshme të titulluar, “Një përgjigje e Thjeshtë.” Sot, jam më i bindur se kurrë që një proces i suksesshëm zgjedhor është i arritshëm prej jush. Por, në mënyrë që kjo të shndërrohet në realitet, iu kthehem gjithmonë kushteve kyçe të kompromisit dhe gjithëpërfshirjes. Gjithëpërfshirja është termi kyç dhe mendoj që njerëzit duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje. Partitë politike kanë një rol vendimtar në ndërtimin e besimit në institucionet demokratike dhe tek procesi. Gjithashtu, qeveria ka detyrimin të zhvillojë zgjedhje në mënyrë transparente që janë në përputhje me kushtetutën shqiptare, Kodin Zgjedhor, dhe ligje të tjera përkatëse. Ajo është zotuar se do t’i bëjë zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit më të lirat dhe më të ndershmet në historinë e Shqipërisë. Ky është një synim fisnik. Është një synim i arritshëm dhe e nxisim qeverinë të bëjë gjithçka që mundet për ta përmbushur këtë. Nëse zgjedhjet zhvillohen në një mënyrë që është e hapur dhe transparente – që do të thotë me kompromis dhe gjithëpërfshirje – atëherë do të jetë e mundur të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në integritetin e procesit, dhe për pasojë, edhe të rezultatit. Ndërkohë që përgjegjësia për zgjedhjet është me të drejtë tek shqiptarët, Shtetet e Bashkuara, së bashku me miqtë dhe partnerët e Shqipërisë në bashkësinë ndërkombëtare, qëndrojm të gatshëm të ndihmojmë. ”, theksoi Arvizu. 

“Kur Sekretarja e Shtetit Clinton vizitoi Shqipërinë, ajo foli mbi rëndësinë që një proces zgjedhor i fortë dhe i ndershëm ka për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe ajo u zotua për mbështetje konkrete të SHBA për procesin zgjedhor. Ndodhem këtu këtë mëngjes për t’ju informuar që planifikojmë ta përmbushim këtë premtim. Asistenca jonë prej mbi një milionë dollarësh do të përqendrohet në tri fusha: e para, asistencë teknike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ); e dyta, nxitja e vëzhgimit vendor të zgjedhjeve; e treta, nxitja e angazhimit qytetar në procesin zgjedhor”, shtoi Arvizu. 

LLESHI: POLEMIKAT MBI KQZ CËNOJNË PROFESIONALIZMIN, PËRGJEGJËSIA PËR ZGJEDHJE TË LIRA ËSHTË E TË GJITHËVE

Në fjalën e saj në këtë panel, kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi u shpreh se për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk duhet vetëm angazhimi i KQZ-së, por i të gjithë aktorëve në Shqipëri. 

“Polemikat mbi vendimet e KQZ, cënojnë profesionalizmin e këtij institucioni. E kuptoj që tonet janë pak të ashpra, por përgjegjësia për zgjedhje të lira dhe të ndershme është e përbashkët. Trupa e KQZ-së është një vlerë e shtuar e procesit të zgjedhjeve pasi të gjithë janë profesionistë” tha Lleshi. 

Sipas Lleshit, do të jenë rregullat e qarta dhe të mirëcaktuara ato që do të përcaktojnë rolin e KQZ në gjithë punën e ngritjes së strukturave zgjedhore të procesit zgjedhor. 

Lleshi theksoi se po bëhet e pamundur që të mos cenohen termat e implementimi të teknologjisë së informacionit, ndërsa shtoi se edhe fushata e edukimit të zgjedhësve do fokusohet që ata të aplikojnë me sukses, rregullat e votimit. 

DENAR BIBA: TAKIME TË TILLA TË MOS NDËRPRITEN DITËN QË MBAROJNË ZGJEDHJET

Pas kryetares së KQZ, fjalën e mori dhe nën/kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Denar Biba, i cili theksoi se në këtë institucion nuk mungon fryma e bashkëpunimit, porse u bëri thirrje SHBA-ve që të punojnë dhe pas procesit zgjedhor, jo vetëm para zgjedhjeve. 
“Ne duam t’i garantojmë Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme. E konsiderojmë veten si misionarë ne anëtarët e KQZ, ku Shqipëria ka nisur prej kohësh udhëtimin drejt demokracisë. Udhëtimi po zgjat më shumë sesa kishim menduar në vitin ’90. Besoj se duhet të jemi optimistë, kemi ecur shumë në kohë të shkurtër dhe besoj se do të ecim akoma. Gati më shumë se 20 vjet nga rënia e diktaturës ne mblidhemi dhe entuziazmohemi shancin për t’i siguruar Shqipërisë zgjedhje të lria e të ndershme. 
Fryma e bashkëpunimit nuk ka munguar mes kolegëve dhe do bëjmë z ambasador gjithçka për t’u dhënë shqiptarëve atë që ata dëshirojnë më shumë që vota të vlejë. 
Takime të tilla të mos ndërpriten ditën që mbarojnë zgjedhjet. Një koleg më tha, Denar pas zgjedhjeve do na harrohet emri, dhe uroj që emri ynë të kujtohet për mirë pas zgjedhjeve. Duam ndihmë për procesin paszgjedhor”. 

Paneli sot u realizua pas njoftimit të publikuar nga Ambasada e SHBA-së në FB, "Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci i Ambasadës Amerikane, mbështet përpjekjet e shoqërisë civile civile që adresojnë aspektet më të rëndësishme të proçesit zgjedhor në Shqipëri, të cilat përfshijnë: nisma ndërgjegjësimi ndaj votuesve; të drejtat dhe përqasja zgjedhore për personat me aftësi të kufizuar, komunitetin rom, LGBT-të dhe grupeve të tjera të pafavorizuara ose pakicave; pjesëmarrjen e grave si votuese dhe kandidate; pjesëmarrjen e të rinjve votues dhe atyre që votojnë për herë të parë; forume qytetare; fushata të medias sociale, etj". 
Mbështetja konsiston në ndihmën teknike që do të sigurojë USAID Albania për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në planifikimin dhe vlerësimin përgjatë dhe pas zgjedhjeve. 
Veç kësaj, USAID do të ofrojë mbështetje për Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë, i cili do të vëzhgojë të gjithë procesin zgjedhor, dhe Institutin Demokratik Kombëtar (NDI), i cili do të kryejë punë monitoruese ndërkombëtare. .