“Virgjëreshat e betuara shqiptare” kanë marrë sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Britanikja “Daily Mail” shkruan se këto femra kanë zgjedhur në mungesë të ndonjë trashëgimtari të mbajnë mbi shpatulla pjesën burrërore të familjes së tyre, të heqin dorë nga feminiteti, të presin flokët dhe të jetojnë në beqari me nder si burra për pjesën tjetër të jetës së tyre.
Antonia Young, antropologe dhe studiuese e kësaj praktike në Shqipëri thotë se femrat shqiptare ktheheshin në burrnesha në dy raste, kur një familje përbëhet vetëm nga gra dhe atëherë njëra nga ato duhet të marrë përsipër këtë fat, ose në rastin kur prindërit vendosin për të martuar vajzat dhe ato e refuzojnë.
Burrneshat, apo virgjëreshat e betuara kurrë nuk do të lejohen të bëjnë sërish jetën e një femre, kjo do të ishte një dënim me vdekje për të.
Young thotë se kjo traditë e lashtë, para 200 vitesh ka lindur nga ligji tradicional verior, Kanuni i Lekë Dukagjinit. Por si studiuese ajo thotë se kjo praktikë lejoi që shumë femra të shpëtonin nga martesat e padëshiruara.
Young thekson gjithashtu se kjo praktikë jo vetëm që i dha grave pavarësinë, por edhe të drejtën për të kryesuar një familje. Interesante thekson ajo është se shumica e burrneshave ndjehen krenare për fatin e tyre.





