Në ëndrrat e saj, 14-vjeçarja Katelyn Norman do të gjente një ditë një “Princ të Kaltër” që do ta bënte të ndihej e veçantë, do të kishte shumë fëmijë, do të vizitonte Italinë dhe do të bënte një xhiro të gjatë, si pasagjerja e një motori të shtrirë. 

Megjithatë, lista e dëshirave të adoleshentes britanike u ndryshua përfundimisht, në një kërcim të fundit, pjesëmarrje në ballon e maturës dhe një ditë dedikuar motrave dhe vëllezëve të saj, pasi mësoi më parë gjatë vitit se tumori në kockë, prej të cilit kurohej që nga 2012-ta, tashmë ishte bërë i pashërueshëm.

Për fat të keq, teksa i mbeten vetëm disa ditë të tjera për të jetuar, hapësira për Norman, për të realizuar të gjithë ëndrrat e saj u ngushtua në mënyrë dramatike dhe me mbrëmjen e maturës disa muaj larg, shokët e klasës vendosën t’i bënin një surprizë prekëse.

Bashkëmoshatarët “pushtuan” për disa orë spitalin ku Norman kurohet në Britani, për t’i improvizuar në ato kushte një mbrëmje mini-mature.

Duke nisur nga shoqëruesi i saj i veshur me kostum të bardhë, trëndafilat, muzika dhe fishekzjarret, të gjitha ishin të pranishme për t’i zbukuruar sado pak momentet e fundit të jetës, shoqës së tyre të klasës, një gjest veçanërisht prekës, i cili fitoi edhe vëmendjen e mediave vendase.