DURRES, 27 mars 2013 – Një magazinë me bimë medicinale është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm në zonën e Shkozetit në Durrës.
Zjarri ka rënë rreth orës 6.30 dhe shumë shpejt është përhapur në të gjithë sipërfaqen e saj, e cila është rreth 900 metra katrorë.
Për të shuar flakët në vendngjarje kanë mbërritur 6 mjete zjarrfikësish si dhe një numër i madh punonjësish të luftës kundër zjarrit.
Magazina në fjalë gjendet tek ish dogana e tokës dhe përdorej për depozitimin e bimëve medicinale.
Mësohet se në brendësi të magazinës ndodhej një sasi e madhe sherebele, që është djegur tërësisht.
Shefi i repartit zjarrfikës të qytetit Ethem Bardhi është shprehur se fikja e zjarrit kërkon pak kohë, pasi brenda magazinës është përhapur një sasi e madhe tymi.
Në lidhje me ngjarjen në fjalë sektori zjarrfikës dhe policia e qytetit kanë nisur hetimet për të zbardhur shkakun e rënies së zjarrit.
Biznesi privat që ka në pronësi magazinën ka bërë të ditur se dëmi i shkaktuar shkon në disa milion lekë.
/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





