Nga Hisen KERNAJA

Shqipëria festoi 100 vjetorin e Pavarësisë në mënyrën më të turpshme e të padenjë për një Popull. Shqiptarët shkuan në festimet e pavarësisë më të përçarë se kurrë, varfëria e mjerimi është katastrofike. Shqipëria është vendi më i varfër në Europë. Duhet theksuar se atë ëndërr që nuk e arritën ta realizonin për 100 vjet regjimet serbe e greke të Pashiqëve, Karagjorgjeviçëve e Venizellosve me luftëra e me kancelaritë evropiane, e arritën pas vitit 1992 nga qeverisja e shqiptarëve me tradhtarin Sali Berisha në krye të Pushtetit, bile me përmasa shumë më tragjike. Dëmet që i ka shkaktuar popullit Sali Berisha, janë të pallogaritshme dhe të gjitha janë bërë me dashje, një budalla nga fshati Viçidol do kishte qeverisur shumë më mirë. Dihet se dëmet që i shkakton një vendi armiku i brendshëm, asnjëherë nuk mund t’ia bëjë armiku i jashtëm. Nuk është e vështirë të qeverisësh një vend me një popullsi sa gjysma e Athinës me resurse të shumta, pasuri që nuk i ka asnjë vend i lindjes por edhe vendet e zhvilluara perëndimore. Shqipëria është qeverisur kundër interesave të Popullit, është shkatërruar plotësisht ekonomia e vendit, u shkatërrua djersa e popullit e ndërtuar për 45 vite. Populli në këtë vend nuk ka më asnjë mundësi për jetesë. Baza e një shteti është ekonomia dhe uniteti i popullit, nëse ajo shkatërrohet e shitet, nuk ke më shpresa për një jetë më të mirë. Është tradhtuar plotësisht e ardhmja e brezave, papunësia ka kapur shifra rekord, i gjithë brezi i ri është pa punë, të gjithë studentet që mbarojnë shkollat e mesme dhe të larta janë pa punë.

Ekonomia e jetesa duhet ti kishte arritur nivelet e vendeve perëndimore më të zhvilluara të Europës po të ishte qeverisur mirë dhe kjo nuk është një dëshirë por plotësisht e mundur me pak punë, duke patur parasysh resurset e mëdha që ka vendi, investimet e mëdha të realizuara para vitit 1992 në industrinë e lehtë e ushqimore, në industrinë nxjerrëse e përpunuese, me bazën materialo-teknike në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe ushtri, me një bujqësi të zhvilluar e rendimente të larta. Zoti i ka dhënë Shqipërisë pasuri shumë të mëdha që nuk i ka asnjë vend i Europës në raport me popullsinë; ka krom, bakër e flori, hekur, nikel, bokside, mermere, bitum, lëndët djegëse qymyr guri, naftë, gaz natyror, bitum, minerale të rralla si kobalt etj. Shqipëria ka mundësi të jashtëzakonshme për prodhim të energjisë elektrike me kosto të ulët me Hidrocentrale. Vetëm me Hidrocentrale të vegjël, mundësitë kanë qenë që të ndërtonte rreth 1 milion kë orë energji elektrike, duke siguruar kështu të ardhura të mëdha për buxhetin e shtetit, ka turizmin bregdetar që nuk e kanë shumë vende të Europës, ka turizmin malor, ka kulture të gjerë arkeologjike, ka një klimë të mrekullueshme malore e fushore për bujqësinë, blegtorinë e frutikulturën. Para viteve 1992 janë prodhuar mbi 1 milion ton krom, 2.4 milionë ton naftë, etj. Këto 20 vite, jo vetëm nuk ka patur asnjë strategji zhvillimi për rritjen ekonomike por ka ndodhur e kundërta, të shkatërrohet çdo gjë e ndërtuar në vitet e shkuara, gjoja e ndërtuar nga komunizmi, për këtë jemi dëshmitarë të gjithë me teorinë e terapisë Shok dhe Çekut të bardhë. Janë realizuar qëllimet serbe e greke që të mos ketë më Shqipëri. Nuk është e vështirë për ta kuptuar se është përdorur një strategji e organizuar në shkatërrimin e ekonomisë, unitetit të popullit dhe nuk mund të jetë ndryshe. Kjo është e vërtetuar me faktet e ndodhura pas vitit 1992 e vazhdim. Në Shqipëri, pas vitit 1992 jo vetëm nuk është ndërtuar një sistem demokratik por regjimit të pushtetit të Sali Berishës do t’ja kishin zili dhe regjimet më diktatoriale në Botë. Shqipëria është katandisur në një shtet paçavure, më keq se vendet e Afrikës qendrore si Somalia, Uganda etj. Nuk ka më keq, por për 20 vjet rresht, përfaqësuesit e Europës nuk po munden të stabilizojnë politikën e një vendi me 2.5 milionë banorë. Më vjen keq të shprehem, por këtu njeriu ka më pak vlerë se një bagëti. Ai tani është pa asnjë të ardhme, pasi ekonomia është rrënuar tërësisht.

Nga viti 2005 kur mori Pushtetin Sali Berisha, kostoja e Jetesës është rritur mbi 2 herë, nga 75 lekë/ litri i naftës në vitin 2005, sot është 190 lekë/litri. Asnjë vend i lindjes nuk e ka këtë çmim, edhe pse shumë prej tyre nuk kanë burime nafte. Është rritur energjia elektrike, gazi etj, borxhi publik ka arritur shifra tepër të larta të papërballueshme për një ekonomi në rrënim.
Konkretisht: – Është shkatërruar totalisht bujqësia, kur dihet se ne jemi një vend bujqësor, janë shkatërruar themelet e bujqësisë; Uzinat e prodhimit të plehrave kimike, superfosfatit e nitratit, plehra me cilësi shumë të lartë dhe me shumicë; Është shkatërruar ujitja, mbi 50 % të rezervuarëve dhe kanaleve ujitëse; Janë shkatërruar institutet e prodhimit të farërave bujqësore që janë bazë për rendimentet e cilësinë e prodhimit, mekanizimi është kthyer si në vitin 1945; 50 % e tokës bujqësore është kthyer në moçalishte kur dihet se nga rreth 260 mijë hektarë tokë që kishte vendi në vitin 1945, në vitin 1992 kishte rreth 645 mijë hektarë tokë bujqësore dhe kjo nga tharja e kënetave. Nga viti 1992 – 1997 u shkatërrua si në asnjë vend tjetër të Lindjes e gjithë industria e lehtë e ushqimore, industria e duhanit, panxhar sheqerit, lulediellit, pemëtaria plotësisht (janë në kujtesë plantacionet e mëdha me agrume në Lukovë e gjithë Jugun e Shqipërisë, plantacionet në Tropojë, Korçë e Dibër). U shkatërrua e u shit për 5 grosh industria nxjerrëse e përpunuese, a nuk është kriminale të shkatërrosh industrinë e pasurimit të Ferrokromit në Burrel e Elbasan kur dihet se çmimi i Ferrokromit është 10 fish më tepër se 1 ton krom, industrinë e bakrit totalisht dhe të gjitha industritë nxjerrëse e përpunuese të mineraleve të tjera. A nuk është kriminale që vendburimet e nxjerrjes mineraleve shqiptare kanë qenë vetëm burim vjedhjesh e korrupsioni, tani janë kthyer në gërmadha, shko e shihe Kam Tropojën e Rragamin, njëlloj e gjithë Shqipëria. Është shkatërruar transporti hekurudhor plotësisht, në vitin 1947 është bërë inagurimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës- Peqin. Janë shkatërruar e shitur po thuaj totalisht pyjet duke përfshirë dhe qendra turistike si Thethi, Lura e tjerë, po shkatërrohet e vidhet kultura mijë vjeçare e popullit, Akrologjia, monumentet kulturore, kishat e tjera e tjera.

Është shkatërruar sistemi arsimor, shëndetësor e gjyqësor. Është e patolerueshme dhe kriminale të shkatërrosh arsimin. Është plotësisht i qartë Sali Berisha, se vetëm në rrethin e Tropojës ka patur mbi 20 shkolla të mesme të një niveli shumë të lartë në fshatra e Komuna. A do të mund të dalin kuadro të lartë në fshatra si në Viçidol, Lekbibaj, Çerem e fshatra të tjera në Shqipëri? Kjo dihet që jo. Diplomat po shiten si perime, analfabetizmi që u zhduk në vitet 1950 është kthyer këmbëkryq jo vetëm në fshatra por edhe qytetet kryesore të vendit. Shëndetësia dhe sistemi gjyqësor janë kthyer në organizata biznesi. Është shkatërruar administrata shtetërore. Qytetari shqiptar nuk mund të drejtohet askund për të zgjidhur një hall, në administratë mund të punosh vetëm po të jesh militant i PD, pasi edhe Akademik po të jesh hiqesh nga puna. Pas vitit 1992 vuri në funksion nenin famëkeq 24/1 që hiqeshe nga puna pa asnjë motiv, nen i cili funksionon edhe sot. Të gjitha gjyqet e fituara nga të hequrit nga puna, që janë me miliona dollarë, i ka paguar populli, asnjë titullar nuk është vënë para përgjegjësisë ose të shlyejë dëmin e shkaktuar. Asnjëherë lufta e klasave nuk ka qenë më e ashpër se sot. Sali Berisha shpiku firmat piramidale, edhe sot janë të freskëta kujtimet e bashkëpunimit të Sali Berishës me Vehbi Alimuçën, presidentin e firmës “Vefa”, kur tha: Kjo është pionerja e parë e borgjezisë në Shqipëri dhe paret e shqiptarëve janë të pastra e fituar me djersë, veprim që vendin e futi në kolaps të plotë.

Në vitin 1996 realizoi zgjedhje të manipuluara totalisht, u zgjodh President duke e rrethuar parlamentin. Gjatë vitit 1994-1997, kur regjimi Serb i Millosheviçit bëri kërdinë duke vrarë njerëz të pafajshëm, gra e fëmijë, një genocid i pa parë në Bosnjë Hercegovinë, Kroaci, Slloveni e Kosovë, furnizonte Serbinë me naftë duke thyer dhe embargon e vënë nga OKB dhe BE. Në vitin 1997 mobilizoi mercenarë e sharlatanë duke i armatosur dhe dërguar në Jug të Shqipërisë (Vlorë, Gjirokastër, Përmet e qytete tjera të Jugut) për të luftuar e vrarë, pra organizoi luftën civile, konfliktin Veri – Jug, dëshirë e hershme e qarqeve greke e serbe. Mobilizoi dhe avionë për të gjuajtur Jugun, të cilët zbarkuan në Itali. Dihet se ish ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali nuk pranoi të realizonte atë strategji dhe u arratis në Itali. Me këtë rast, habitem për Labërinë trime, si është e mundur të pranojnë ti vizitojë një njeri që deshi ti vrasë e ti djegë, si ka mundësi të votojnë e ta mbështesin kur ai duhet të ketë frikë ta kalojë qytetin e Durrësit!? Labëria ka vdekur.

Në vitin 1995 vrau me organet e SHIK-ut të ndjerin Remzi Hoxha, kjo pasi ai filmoi dhe regjistroi takimin sekret në Maqedoni të Sali Berishës me Sllobodan Millosheviçin, edhe sot pas 16 vitesh nuk dihen eshtrat e tij. Në vitin 1992, siç shprehet Qerim Kelmendi u takua në Shkodër me Kriminelin serb Arkan, arsyet dihen. Mburret me rrugën e kombit, autostradën Milot – Qafë Morinë, gjatë realizimit të këtij objekti, jo vetëm u vodh dhe u shpërdorua djersa e popullit, por vetëm me vlerën e armatimit të Ushtrisë para vitit 1992 e të shitur për llogari të klanit të tij, do të ishte realizuar e gjithë Infrastruktura rrugore e Shqipërisë në përputhje me standartet europiane.
Dihet se edhe tenderin e Interkoneksionit me Kosovën e anulloi, kundërshtoi marrëveshjen e Rambujesë në vitin 1999 e tjerë. Për zgjedhjet e vitit 2005 doli me sloganin tolerancë zero ndaj korrupsionit, u vërtetua se korrupsioni dhe vjedhja e pasurisë kombëtare në përmasa të mëdha janë objektivi i vetëm i qeverisë, për zgjedhjet e vitit 2013 ka dalë me sloganin e nacionalizmit dhe të bashkimit të trojeve shqiptare, kjo është një demagogji, një strategji dhe urdhër i qeverive serbe e greke për ta mbajtur në pushtet edhe pas vitit 2013, ato e urdhëruan ta fuste në burg mikun dhe bashkëpunëtorin e tij Fatos Nano. A ka moral Sali Berisha të akuzojë opozitën si pasardhës të byroisteve kur Partia Demokratike drejtohet nga njeriu që ishte më tepër se një ish anëtar byroje, një komunist e shërbyes i zellshëm i nomenklaturës së lartë të Partisë Punës, një njeri që studimet pasuniversitare i kreu në Francë si shpërblim për shërbimet e mëdha që u bënte byroistëve. Në strukturat e larta të Partisë Demokratike është Ilir Rusmali, djali i Çajup Rusmalit, ish sekretar i parë i rrethit Elbasan me funksion më tepër se një anëtar byroje; Rajmonda Pashko (Bulku) e reja e Josif e Elena Pashkos me funksionet të larta në Partinë e Punës; Genc Ruli, Genc Pollo, djali i Stefanaq Pollos etj.
A nuk kam të drejtë të them se Sali Berisha ka punuar sistematikisht për shkatërrimin e vendit, duke u shërbyer qeverive serbe e greke!? Shpërdorimi i detyrës dhe krimet që ka kryer Sali Berisha, janë të shumta. Më poshtë po rreshtojmë disa prej tyre që të gjithë shqiptarët i njohin:
1. Organizoi dhe realizoi ngjarjet e 2 Prillit të vitit 1991 në Shkodër, ku vrau 4 vetë. Qëllimi ishte marrja e pushtetit , premtoi se do të zbulonte vrasësit por kjo ishte një përrallë si për të ndjerin Azem Hajdari.
2. Shkatërroi industrinë e lehtë e ushqimore, industrinë e duhanit, panxhar sheqerit .
3. Shkatërroi industrinë nxjerrëse e përpunuese të mineraleve e lëndëve djegëse që janë dhe baza ekonomike e vendit si industrinë e kromit, bakrit, hekur nikelit, të qymyrit, naftës. Uzinat e telave në Shkodër etj.
4. Shkatërroi uzinat e plehut kimik për bujqësinë dhe gjithë bujqësinë.
5. Shkatërroi të gjithë pemëtarinë.
6. Ngriti firmat piramidale
7. Organizoi luftën Veri-Jug në Shqipërinë e vitit 1997 pra luftën civile ku u vranë rreth 3000 vetë.
8. Gjatë viteve 1995-1997 furnizoi me naftë Serbinë gjatë luftës në Bosnje Hercegovinë
8. Në vitin 1995 organizoi e vrau Remzi Hoxhën
9. Më 14 Shtor 1998 organizoi grushtin e Shtetit duke pushtuar dhe Televizionin.
10. Vrau 26 vetë dhe plagosi qindra të tjerë në Gërdec.
11. Vrau 4 vetë të pafajshëm më 21 Janar 2011.
 12. I fali Greqisë trojet shqiptare, detin.
13. Emëroi në krye të Kishës Ortodokse një prift grek kundër kushtetutës së vitit 1922.
14. Në Përmet zhvarrosi eshtrat e fshatit duke i konsideruar si ushtarë grekë.
15. Shkatërroi sistemin arsimor, të drejtësisë , administratën shtetërore etj.

/Gazeta "SOT"/