ZVICER, 26 mars 2013 – E keni menduar ndonjëherë të hakmerreni ndaj shefit tuaj, i cili për  muaj me radhë nuk ju ka paguar! Një shqiptar në Zvicër ka menduar një mënyrë mjaft origjinale ndëshkimi.

Një punëtor shqiptar në Zvicër ka shtypur makinën e shefit të tij, pasi ai nuk i paguante rregullisht pagën mujore. Lajmi ka pasur aq shumë popullaritet sa që videoja që tregon ngjarjen e çuditshme është përhapur në të gjitha faqet zvicerane të internetit. Në video duket buldozeri gjigand, që pasi merr për disa sekonda përpara makinën tip Mercedes Benz, e shtyp më pastaj pa mëshirë si të ishte ndonjë kuti kartoni.

Mediat kanë thënë se kështu ndodh kur pronari i një kompanie nuk i paguan pagat me rregull, dhe për më tepër i bën presione punëtorëve gjatë orarit të punës.

Mediat në Zvicër ende nuk kanë bërë të ditur identitetin e emigrantit shqiptar, i cili është protagonist i kësaj ngjarje.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/