DURRES, 26 mars 2013 – Teuta ka përpara një përballje të vështirë, pasi në fundjavë do të përballet me ekipin korçar. Në kampin durrsak janë të bindur se do të kthehen me fitore nga Korça. Skuadra nën drejtimin e teknikut Gugash Magani dhe ndihmësit të tij, Sedat Pajaziti, po përgatitet për transfertën e kësaj fundjave, ku kalendari i ka vendosur përballë kampiones në fushën e kësaj të fundit.

Pavarësisht kundërshtarit, durrsakët e kanë vlerësuar maksimalisht këtë sfidë dhe kanë besim se do t’ia dalin, duke vijuar me rezultatet pozitive të shënuara ndeshjet e fundit. Gjatë një prononcimi për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah” mesfushori shqiptaro-maqedonas, Flamur Tahiri, tha se skuadra po përgatitet intesivisht dhe në fundjavë do të jetë gati për të festuar triumfin e radhës.

“Përpara na pret një ndeshje shumë e vështirë, prej së cilës duhet të marrim maksimumin. Korçarët kanë një skuadër që nuk do shumë komente, por ne do të zbresim në fushë si të barabartë, sepse të tillë jemi. Në kushtet ku ndodhemi na nevojiten shumë pikë, të cilat duhet t’i fillojmë t’i mbledhim duke nisur nga kjo ndeshje. Sigurisht që i kemi marr parasysh të gjitha dhe kemi besim se do t’ia dalim. Ne kemi treguar se edhe në transferta të tjera kemi bërë një paraqitje mjaft të mirë, por kemi arritur rezultate pozitive, sidomos ndaj Tiranës e Flamurtarit së fundmi. Qëllimi ynë është të ruajmë vendin e dytë, ndaj çdo ndeshje e mbetur për ne është si një finale. Flamurtari është afruar shumë, kështu që duhet të kemi kujdes. Nëse do të jemi në një ditë të mirë dhe luajmë të përqëndruar, besoj se do t’i mposhtim korçarët”,- përfundoi Tahiri.

/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/