TIRANË, 26 mars 2013 – Partia Socialiste diskutoi sot në një tryezë për legalizimet problematikën e këtij procesi me banorë nga rrethinat e Tiranës.  

Në panelin e diskutantëve, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama pati rolin kryesor ku shpjegoi me detaje pse qeveria aktuale nuk e kryen dot këtë proces kaq shumë të dëshiruar nga shqiptarët dhe pse projekti i PS është shpëtimi për banorët në pritje. 

“Duhet 160 vjet që t’ju legalizojë Saliu. Ata po e lenë Shqipërinë me 400 ndërtime pa leje dhe me një numër qesharak legalizimesh përkundër një numri të madh që presin legalizime. 
Nga njëra anë e gjetën kuadrin ligjor me një ligj që ishte operativ dhe pse kishte nevojë për shumë elementë të tjerë dhe po e lenë sot me një kaos të gjerë. Me këta që janë në qeveri, këta do lenë stërnipërit e stërnipërve e stërnipërit e stërnipërve pa u legalizuar. Ju keni ardhur në Tiranë thjesht të keni një shtëpi, nuk keni ardhur për të ikur nga fshati në qytet”. 

Më tej Rama ironizoi dhe kryeministrin ndërsa theksoi se kreut të qeverisë nuk i intereson për arsye elektorale të përfundojë procesi i legalizimit. 
“Mund ta konsideroni si nga anët tuaja por ai ka kohë që ka ikur prej aty, ka ikur në drejtim të paditur. Në nuk ka ardhur ende tek ju do vijë me vrap që t’ju thotë se është koha e legalizimeve. Sa herë është fushata ka stinë legalizimi vjen ju premton, sa mbaron fushata aty mbaron legalizimi, sepse ju i duheni atij më tepër, të palegalizuar”,- tha Rama.