TIRANE, 26 mars 2013 – Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros) ka publikuar rezultatet e një sondazhi në lidhje me preferencat politike të shqiptarëve. Interesant është fakti se janë gjysma e shqiptarëve që nuk e ndjejnë veten pranë asnjë partie politike.
Përafërsisht 48% e shqiptarëve nuk e ndjejnë veten afër me asnjë parti, rreth 23% e ndjejnë veten afër me Partinë Demokratike, rreth 20% me Partinë Socialiste, dhe 4% refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetje. Për partitë e vogla, 1% e qytetarëve shprehen afër me PDIU dhe po kaq me LSI, 1.2% me Aleancën Kuqezi dhe 1.3% me Frymën e Re Demokratike.
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kapin pak më shumë se gjysmën e elektorateve potenciale sipas përkatësisë ideologjike. Konkretisht, 56.7% e qytetarëve që shprehen djathtas, shprehen edhe më të afërt me Partinë Demokratike, dhe 57.3% e qytetarëve që shprehen majtas ideologjikisht, shprehen më të afërt me Partinë Socialiste. Rreth një e treta e qytetarëve si djathtas, si majtas nuk ndihen afër me asnjë parti. Ndërkohë, nga qytetarët që identifikohen me qendrën, pjesa dërrmuese, 73.3% nuk ndjehen afër me asnjë parti. Në nivele të ngjashme të ulëta janë qytetarët e qendrës që ndihen më afër me PD dhe PS – rreth 7% me secilën.
Ajo që bie në sy është se PS i ka ruajtur më shumë votuesit në krahasim me vitin 2009, kurse LSI ka humbur më shumë votues, që duan të shkojnë tek PS. Edhe PD ka humbur më shumë se PS votues, madje 2 përqind e tyre duan të shkojnë tek PS.
Kështu, Partia Socialiste ruan dy te tretat e elektoratit të 2009-ës dhe gjen të alienuar (jo afër me asnjë parti) 30.6% të atyre që e votuan në 2009-ën.
Ndërsa Partia Demokratike ruan 54.5% të zgjedhësve të saj në 2009-ën, dhe gjen të alienuar 36.7% të këtyre zgjedhësve në 2009-ën. Partia që ka pësuar distancimin më të lartë nga elektorati i vitit 2009 është Lëvizja Socialiste për Integrim, me 60% të atyre që e votuan në 2009-ën që shprehen që sot nuk ndihen afër me asnjë parti.
Partitë që i ruajnë më bindshëm elektoratet e tyre të 2009-ës janë PBDNJ, me 80% që ende sot ndihen afër me këtë parti, dhe PDIU me 75% të atyre që e votuan në 2009-ën që shprehen që ndjehen më afër me të sot. Nga ata që nuk kanë votuar në 2009-ën dhe që janë potencialisht zgjedhës të rinj sivjet, 9.6% shprehen afër me PS, 16.4% me PD./ep





