TIRANË, 26 mars 2013 – Zëvendës ministri i METE-s, Eno Bozdo gjatë një konference për shtyp deklaroi se Partia Demokratike do të punojë për të përmirësuar më tej klimën për biznesin e vogël dhe të mesëm. Bozdo ka sulmuar kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, kur deklaroi se i vetmi plan i tij është rritja e taksave, e cila do falimentojë sipërmarrësit.
“Ai vazhdon me slogane boshe të ngjizura në dhomën e tij pink të gjumit, ndërkohë që nuk ka ende një plan për krijimin e vendeve të punës, por vetëm një plan për rritjen e taksave që shkaktojnë humbje të vëndeve të punës. Le t’i pyesë zoti Rama këta sipërmarrës, se si ndihen ata për planin e tij, për rritjen e taksave? Le t’i pyesë ata po pati guxim, kur ata vetë e dinë që do të detyrohen t’i heqin punëtoret nga puna po u ra për pjesë taksa me kate e Ramës, që edhe ai vetë nuk e di se sa kate do të ketë”,- tha Bozdo.
Sipas Bozdos, Rama po tenton të prishë klimën e favorshme për zhvillimin e biznesit.
Zëvendës ministry i METE-s deklaroi se biznesi e ka kuptuar se kreu socialist qëllimisht e ka bllokuar Gjykatën Administrative për ta kthyer atë më pas në zyrë politike që do raportojë tek ai.
“Ti zoti Rama, kërkon të kesh një zyrë politike që të raportojë tek ti. Dhe ti në mënyrë selektive të ndëshkosh ata që s’do, dhe të falesh ata kontrabandistë pa të cilet ti nuk merr dot frymë, pa të cilët ti nuk e mban dot Partinë Socialiste. Ata e dinë tashmë, zoti Rama, se ti je një mace e zezë për bizneset dhe punësimin që u pret jo vetëm rrugën, por ua prish edhe ëndrrat ”, deklaroi Bozdo.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





